Tahiri për Nagip Krasniqin: Në komision na tha, “kemi paguar shuma të caktuara me kompanitë pa licencë, çka doni me bë?”

Tahiri për Nagip Krasniqin: Në komision na tha, “kemi paguar shuma të caktuara me kompanitë pa licencë, çka doni me bë?”

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri ka treguar për sfidat që kanë pasur në funksionalizimin e komisioneve hetimore gjatë legjislaturës së kaluar.

Ai thotë se e kanë pasur të vështirë të formojnë komisionin hetimor për çështjen e energjisë për krizën që kishte filluar në vitin 2020.

“Me ngulm kemi kërkuar krijimin e një komisioni hetimor”, tha ai në VV Show.

“Ne kemi kërkuar të shkojmë një hap më tej, sepse ministrja e energjisë nuk jepte informata, kryeministri nuk jepte informata dhe ishte e vetmja mundësi. Ne kërkuam një komision hetimor dhe juve ju kujtohet se Vetëvendosje me ngulm e kundërshtonte një gjë të tillë”, u shpreh Tahiri.

Tahiri po ashtu ka treguar edhe për përshtypjet që i ka lënë ambasadori Martin Berishaj, i cili dyshohet për vjedhje me energjinë elektrike.

“Ai na përqafon. Besjan Mustafën, ia lavdon babain për punën e tij. Mua vjen më përqafon më flet. Ka qenë hera e parë në jetën time kur e kam takuar fizikisht. Si emër e kam dëgjuar por nuk kam pas rast të kem kontakt me të. Ai vjen kështu, si ta them… ke t’u m’puthë. Vjen me një përqafim, por unë nuk jam njeri agresiv dhe nuk e shtyj. Ishte e habitshme”, u shpreh Tahiri.

Tutje ka treguar edhe për abuzimet që janë bërë me shitblerjen e energjisë elektrike me kompanitë e palicencuara si dhe për arrogancën e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagim Krasniqit.

“Ata erdhën në atë pikë që mos me iu bë përshtypje fare që është antiligjore. Më kujtohet sikur sot kur Nagip Krasniqi e thotë në komision dhe e thotë me mburrje. “Po, kam tregtuar energji elektrike, kemi paguar shuma të caktuara me kompanitë pa licencë. Çka doni me bë?”, na thotë neve çka doni me bë. Ai ishte aq i trimëruar dhe me vetëbesim të madh”, tha Tahiri.

Kandidati për deputet ka treguar edhe për gjetjet e raportit të këtij komisioni.

“Kemi kërku që komisioni me hetu kohën kur po kryheshin krime në KEK edhe me shitblerje. Çka ndodhi, për shkak të kohës së shkurtë, në atë kohë dolën edhe aferat e z. Berishaj, dolën edhe negociatat e tij me GEN-in serb, dolën edhe lidhjet e tij, ku ju i publikuar me GEN-in në Mal të Zi, e dolën që personi në fjalë kishte tërhequr para edhe gjatë kohës sa ka qenë në komision hetimor. Në ato data sa ka qenë edhe në intervistë. Në pyetjet e mia ai gënjen, sepse kur i nxjerrë Paparaci në vonë transaksionet, del se edhe gjatë muajit qershor kur është intervistu ai ka tërhequr para cash në bankat tona”, tha ai./Periskopi/

Shpërndaje në: