“Liburni erdhi me porosi nga Dejona dhe Rizvanolli”, ja çka thotë Lahu për skemat e Kurtit për ZRRE-në
Berat Lahu, ish-ansambleist dhe njëri nga ata që e braktisi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), ka zbuluar detaje të reja lidhur me përpjekjet e kryeministrit Albin Kurti dhe vartësve të tij për emërimin e kryetarit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Lahu, i cili kishte aplikuar për këtë pozita, ka folur për përpjekjet e mundshme të brendshme për ta larguar nga gara.
Në një intervistë të dhënë për mediat, Lahu ka kujtuar momentin kur kishte shprehur interes për pozitat dhe ishte angazhuar për t’u tërhequr nga angazhimi politik për t’u aplikuar në ZRRE. Por, siç ka thënë ai, para këtij vendimi, zyrtarët Dejona Mihali dhe Nagip Krasniqi e kishin pyetur se kush është Ymer Zejnullahu, ka thënë ai në RTV Dukagjini.
Lahu ka pranuar se kjo kërkesë erdhi nga vetë kryeministri Kurti. Ai ka shtuar se kishte dalë i pari në listën e kandidatëve, por, sipas tij, Dejona Mihali dhe Artane Rizvanolli kishin dërguar Liburn Aliun, mik të Lahut, për t’i bërë një kërkesë.
“Vjen Liburni dhe më thotë se kam një porosi nga Dejona dhe Rizvanolli që të tërhiqesh nga gara” – ka rrëfyer Lahu, duke shtuar se arsyetimi për tërheqjen ishte se mund të krijohej një debat publik lidhur me lidhjet e tij miqësore dhe familjare, pasi ai është mik dhe dhëndër i Liburn Aliut.
Lahu tregon më tej për telefonatën që mori nga kryeministri Albin Kurti, i cili e ka kërkuar që të tërhiqet nga gara për pozitat në ZRRE. “Albin Kurti më telefonoi dhe në 24 minuta më kërkoi që të tërhiqem nga gara. Më uroi për rezultatin, por bëhet temë nepotizmi dhe kështu”, ka thënë ai, duke treguar se kishte refuzuar kërkesën e Kurtit.
“Unë i thash se këta që janë poshtë meje në listë nuk e meritojnë. Mbetet që unë nuk tërhiqem”, ka shtuar Lahu.
Ai gjithashtu ka folur për të ardhmen e kandidaturës së tij, duke treguar se emri i tij u dërgua për miratim në qeveri, por jo në Parlament. “Në vitin 2021 nuk e besoja që VV-ja do ta përzgjedhë Zejnullahun, por tani në vitin 2025 e kam parë që VV-ja e ka përzgjedhur për ZRRE”, ka përfunduar ai, duke lënë të kuptohet se ka dyshime për arsyet që qëndrojnë pas përzgjedhjes së Ymer Zejnullahut.
Këto zhvillime të fundit kanë ngritur pyetje dhe kanë nxitur reagime në politikën kosovare, duke shtuar tensionet lidhur me transparencën dhe ndikimet politike në proceset e emërimeve./Periskopi/



