Policia e Kosovës me plan operativ për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit

Policia e Kosovës me plan operativ për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit

Policia e Kosovës ka njoftuar për planin dhe angazhimin policor në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetori.

“Me qëllim që ky plan policor të realizohet sipas planifikimeve të parapara dhe me qëllim të  ofrimit të sigurisë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, është paraparë të angazhohet një numër i  mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të  angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin  njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim, raporton Periskopi.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka treguar për planin oprativ i cili do të përfshihet në 4 faza.

“Plani operativ përfshin katër faza: 1)Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,  2)Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,  3)Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z),  4)Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, sikurse në çdo proces zgjedhor, bazuar në ligjet pozitive të vendit dhe  autorizimeve si institucion kyç për sigurinë publike, me kohë ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen me datën 28 dhjetor 2025.

Me qëllim që ky plan policor të realizohet sipas planifikimeve të parapara dhe me qëllim të  ofrimit të sigurisë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, është paraparë të angazhohet një numër i  mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të  angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin  njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

Plani operativ përfshin katër faza:

1)Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,

2)Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,

3)Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z),

4)Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të

materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Faza e parë  tani veçse është realizuar dhe jemi në fillim të zbatimit të fazës së dytë të angazhimit në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, për të vazhduar sipas planit me fazat tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ edhe në këtë proces zgjedhor

është:

Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si

dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të

zgjedhjeve.

Ngritja e vigjilencës, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së

numërimit të rezultateve.

Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha

destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të  gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që  rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Sipas memorandumit të bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, Policia e Kosovës ka caktuar zyrtarë/hetues në drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore.

Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike [email protected]  si dhe në stacionet më të afërta policore./Periskopi

 

Shpërndaje në: