Besnik Tahiri: 28 dhjetori do të jetë ditë feste
Kandidati për deputet nga radhët e AAK, Besnik Tahiri ka deklaruar se 28 dhjetori do të jetë ditë feste, duke e cilësuar këtë datë si moment simbolik për të gjithë qytetarët.
Në një video mesazh në Facebook, Tahiri theksoi se në këtë garë po hyjnë me vendosmëri, besim dhe bindje për të hapur një kapitull të ri për Kosovën, duke nënvizuar se zëri i qytetarëve nuk mund të përkthehet në urrejtje apo degradim, raporton Periskopi.
Postimi i plotë:
28 dhjetori do të jetë ditë feste për të gjithë ata që kanë besuar pa u lëkundur se e ardhmja e Kosovës kalon përmes bashkimit, harmonisë, unifikimit, zhvillimit dhe progresit.
Në këtë garë hyjmë fuqishëm, me besim dhe me bindje se:
Po hapim një kapitull të ri për Kosovën;
Zëri i qytetarëve nuk mund të përkthehet në urrejtje dhe degradim;
Energjia, emocioni dhe vizioni për një Kosovë më të fortë nuk janë pronë e aventurierëve pa integritet dhe pa dije;
Miqësitë dhe partneritetet e përhershme nuk ndërtohen dhe as nuk rrënohen nga ata që abuzojnë me mandatin publik;
Zhvillimi dhe progresi janë të mundur vetëm përmes respektit dhe përfshirjes së kapitalit njerëzor, dijes dhe përvojës së atyre që duan dhe dinë të kontribuojnë për vendin;
Institucionet janë të shenjta dhe ligjet i shërbejnë interesit qytetar dhe publik;
Vullneti i sovranit nuk është matematikë numrash dhe kombinimesh të përkohshme, por shprehje e parimeve, programeve dhe lidershipit me integritet;
Diaspora gjen fuqinë e saj në krijimin e mundësive për investim, për kthim dhe për ndërtim të atdheut – jo thjesht si statistikë e një vullneti politik.
Sepse Kosova e fortë, e bashkuar dhe e dinjitetshme ndërtohet vetëm me vizion, përgjegjësi dhe lidership që i shërben shtetit dhe qytetarëve – sot dhe për brezat që vijnë.
Tubimi hapës i fushatës
Salla e Kuqe – Pallati i Rinisë
E mërkurë, 17 dhjetor
Ora 18:00



