Kidnapimi i serbit në nëntor, arrestohet ish pjesëtari i MUP’it që ishte pjesë e Policisë së Kosovës
Në fshatin Leshak të Leposaviqit, është arrestuar një ish-pjesëtar i ministrisë së brendshme të Serbisë (MUP).
Ai dyshohet për përfshirje në rrëmbimin e shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq, nga ana e Serbisë, rast i cili ndodhi më 1 nëntor të këtij viti brenda territorit të Kosovës
Rastin për arrestimin e tij e ka konfirmuar ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se i arrestuari ka qenë i integruar në Policinë e Kosovës nga viti 2013, por që në ndërkohë kishte dhënë dorëheqje.
“Në kuadër të hetimeve intensive që po kryhen lidhur me kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq, në brendësi të territorit të Kosovës më 1 nëntor 2025 nga strukturat e sigurisë së Serbisë, sot, në një operacion të përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, është arrestuar në Leshak ish-pjesëtari i MUP-it të Serbisë, i cili ishte integruar në PK sipas marrëveshjes së vitit 2013, prej nga kishte dhënë dorëheqje, V.M”, tha ai.
Ministri në detyrë tha se ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i arrestuar ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur “në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Millan Vukashinoviq, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi”.
“V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë”, u shpreh Sveçla, duke u zotuar se në Kosovë askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. /Periskopi/



