Në dy raste të ndara, policia zbulon drogë dhe lojëra të fatit të paligjshme në një lokal në Shtërpcë
Më 20 dhjetor 2025, Policia e Kosovës ka realizuar një kontroll-bastisje në një lokal në Shtërpcë, ku ka zbuluar dy raste të ndara të veprimtarive të kundërligjshme.
Gjatë aksionit është sekuestruar 15.9 gram kokainë tek një person i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, në lokal janë hasur persona duke zhvilluar lojëra të fatit të paligjshme, ndërsa tek njëri prej tyre është gjetur edhe 1.01 gram marihuanë.
Gjashtë persona janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre janë iniciuar raste penale për lojëra të fatit të paligjshme dhe mbajtje të paautorizuar të narkotikëve.
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Dy raste të ndara të veprimtarive të kundërligjshme në një lokal në Shtërpcë
Më datën 20.12.2025, rreth orës 21:50, hetuesit e Njësisë Rajonale, në asistim të Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, pas dyshimeve për veprimtari të kundërligjshme, kanë realizuar kontroll-bastisje në një lokal në Shtërpcë.
Rasti i parë – Narkotikë
Gjatë kontrollit, tek një person i dyshuar janë gjetur dy pako cigaresh, brenda të cilave ndodheshin 8 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale 15.9 gram. Substanca është sekuestruar dhe është njoftuar Njësia për Trafikim me Narkotikë. Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Rasti i dytë – Lojëra të fatit të paligjshme dhe narkotikë
Gjatë kontrollit të mëtejmë të lokalit, janë hasur disa persona duke zhvilluar lojëra të fatit të paligjshme. Po ashtu, tek njëri nga personat është gjetur 1.01 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Shtërpcë dhe me vendim të prokurorit, 6 persona janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.
Ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat penale: “Organizimi i skemave piramidale dhe i lojërave të fatit të paligjshme” dhe “Mbajtja e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope ose analoge”./Periskopi/



