Pranon fajësinë i akuzuari për ngacmim të ish-bashkëshortes
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari E.V., ka pranuar fajësinë për ngacmim ndaj ish-bashkëshortes së tij, tani të dëmtuarës NN.
Pranimin e fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të rastit, Kastriot Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, ai tha se nuk ka pasur qëllim të keq, vetëm se ka dashur të sqarohet me tani të dëmtuarën.
Më pas, prokurori propozoi që me rastin e vendosjes së lartësisë së dënimit, si rrethanë rënduese të merret çfarëdo vendimi i mëparshëm i gjykatës, ndërsa si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë.
Ndërsa, e dëmtuara tha se i akuzuari edhe pse e pranon fajësinë vazhdon me sjelljen e njëjtë. Ajo shtoi se që 3 vite është duke u kërcënuar nga i akuzuari, duke shtuar se ka të drejtë që të jetë e lirë.
Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuari E.V, avokatja Majlinda Salihu propozoj që si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë, duke shtuar se asnjëherë me vite me radhë i akuzuari nuk i ka shkaktuar shqetësime viktimës dhe se qëllimi i vetëm ka qenë që të sqarohet me të.
Sipas aktakuzës së ngritur më 26 qershor 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, E.V., akuzohet se nga 26 janari 2025 deri më 30 janar 2025 në Podujevë, në vazhdimësi përfshihet në sjellje të vëmendjes se vazhdueshme dhe të padëshirueshme, duke përsëritë thirrje telefonike e duke komunikuar përmes rrjetit social “Viber”, me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, ndaj të dëmtuarës- ish-bashkëshortes NN.
Aktakuza thotë se i akuzuari pasi daljes nga burgu, në vazhdimësi i shkruan të dëmtuarës duke i këkruar që të sqarohen për raportin e tyre, me ç’rast me veprimet e tij i shkakton asaj shqetësim të madh emocional.
Me këto veprime, E.V., akuzohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi” nga neni 182, par.1. të Kodit Penal./Periskopi/



