Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte Dragutin Naskoviq, Dosja se si u vranë 29 civilë shqiptarë
Në Gjykatën e Prishtinës sot më 23.12.2025 është mbajtur seanca fillestare ndaj Dragutin Naskoviç i akuzuar për krime lufte.
I pandehuri Dragutin Naskoviq po akuzohet se gjatë periudhës mars-prill të vitit 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër të komunës së Gjilanit, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 e civilëve shqiptarë.
I akuzuari Dragutin Naskoviç deklaroi se nuk e pranon fajsinë për veprën penale i cila i vihet në barrë. Këtë deklarim i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ajshe Ferati.
“Nuk ndihem fajtor për asnjë vepër e cila më vihet në barrë mua”- deklaroi i akuzuari, raporton Kallxo.com, transmeton Periskopi.
Më tej i akuzuari tha se kur ka ndodhë kjo vepër penale nuk ka qenë në vendngjarje dhe as komandant në fshatin Zhegër.
“Kur ka ndodhur kjo vepër penale unë nuk kam qenë në vendngjarje as komandant në fshatin Zhegër. Kam qenë i zhvendosur në Novobërdë”- tha i akuzuari.
Në fund gjyqtari Lutfi Shala njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtim të provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se i pandehuri Dragutin Naskoviç nga data 15.09.2025 e deri me datë 15.10.2025 ka qenë në masën e paraburgimit, kurse me datë 13.10.2025 masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e dorëzanisë, e cila masë ende është në zbatim.
DOSJA E PROKURORISË
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e cila mban datën 24.11.2025 të ngritur ndaj Dragutin Naskoviç, thuhet se në periudhën kohore 1998 – 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ne fshatin Llashticë, Komuna e Gjilanit, i pandehuri Dragutin Naskoviç, në cilësinë e Komandantit të Nën-Stacionit Policor në Zhegër, nuk ushtroi kontroll efektiv mbi forcat policore që ishin nën komandën e tij për t’i penguar apo për t’i ndëshkuar autorët ose për të raportuar aktet e kundërligjishme tek autoritetet përkatëse, në lidhje me vrasjet, shkatërrimin e pasurisë së paluajshme dhe dëbimin e popullsisë civile, e në këtë mënyrë është pajtuar me shkaktimin e pasojës, gjegjësisht krimeve të kryera nga forcat serbe.
Në aktakuzë thuhet se më datë 30.03.1999, forcat serbe, një pjesë e tyre nën komandën e te pandehurit Naskoviç, hynë në fshatin Zhegër dhe rrethuan tërë fshatin. Për pasojë, nga frika e krijuar banorët e fshatit, mes tyre edhe familja e Shaqir Ukshinit, filluan të largohen nga shtëpia dhe të strehohen në një shtëpi tjetër më të sigurt dhe derisa po priste që ndërkohë t’i bashkoheshin edhe prindërit e tij, viktimat U. U., dhe M. U., ndërkohë Milazim Ukshini, që është djali i viktimave, shkoi tek shtëpia për të parë nëse janë aty prindërit (viktimat) dhe në momentin që hyn në shtëpi e sheh babain e tij U. U., të vrarë, në mes të dyshemesë së shtëpisë, kurse nënën nuk e gjen në shtëpi, i stresuar dhe traumatizuar, menjëherë, shkon në Stacionin Policor në Zhegër për ta lajmëruar rastin dhe me të arritur aty takon të pandehurin i cili ishte komandant i atij stacioni, dhe të njëjtit i tregon për vrasjen e babait si dhe i kërkon ndihmë për ta gjetur nënën e tij, tani viktimën M. U.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Naskoviç në vend që t’i ndihmonte Milazim Ukshinit për ta gjetur viktimën, i pandehuri i drejtohet me fjalët: “Hajt se edhe ajo është e vdekur”, në këto rrethana, Milazim Ukshini duke e pa që nuk kishte ndihmë, menjëherë largohet nga stacioni dhe shkon në fshat për ta kërkuar nënën e tij, të cilën sipas aktakuzës e ka gjetur të vrarë – të prerë në fyt me thikë, e i cili menjëherë njofton familjarët e tij ku të gjithë së bashku i varrosën viktimat në fshatin Nasalcë.
Më tej në aktakuzë thuhet se po të njëjtën ditë të cekur si në pikën e parë, viktimat Q. H., Q. H., dhe M. I., së bashku me familjen e tyre, u detyruan të largohen nga shtëpia e tyre dhe të strehohen në shtëpinë e kusheririt të tyre dhe pas disa ditë qëndrimi aty, në mëngjesin e datës 30.03.1999, viktimat Q. H., dhe M. I., shkojnë në shtëpinë e tyre për të marr gjëra ushqimore dhe meqenëse u vonuan, viktima Q. H., shkon që të shoh se pse u vonuan, mirëpo edhe Q. H., vonohet.
Në aktakuzë përshkruhet se në atë moment dëshmitarja Drita Selimi dyshonte se çka kishte ndodhë me fatin e tyre dhe së bashku me një kusheri shkojnë deri te shtëpia, dhe me të hyrë në oborrin e shtëpisë së viktimave shohin të vrarë viktimën Q. Q., kurse brenda në shtëpi i gjetën të vrarë viktimat Q. H., dhe M. I., menjëherë njoftoi familjen dhe shkuan në Stacion Policor në Zhegër për të kërkuar ndihmë dhe siguri për varrosjen e viktimave, aty takojnë të pandehurin Naskoviç i cili me të marrë informacionin, së bashku me familjarët kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe pastaj u kishte ofruar siguri që t’i varrosnin viktimat në varrezat e fshatit.
Gjithnjë sipas dojses së Prokurorisë, thuhet se nga data 27.03.1999 deri më datë 13.04.1999, i gjithë fshati Llashticë u sulmua me armë zjarri nga forcat serbe të cilat ishin të stacionuara në fshatin Pasjan. Si pasojë e sulmit, popullata civile nga frika se do vriteshin, u detyrua qe Natën e Bajramit t’i lëshonte shtëpitë dhe u strehua në mal, në tenda të improvizuara najloni, në kushte shumë të rënda jetese.
Në aktkauzë thuhet se derisa popullata civile ka qenë në mal, në rrethana të ndryshme dhe në periudha kohore të ndryshme, forcat serbe kanë vrarë 13 civilë të cilët sipas aktakuzës janë: F. J., Xh. H., R. J., E. M., L. M., H. R., R. R., I. R., A. S., A. C., dhe L. Sh., (foshnje tre vjeçare), i cili u mbyt në krah të nënës së tij me kondak të pushkës, derisa ajo po e mbante në krah dhe ishte duke u kthyer në fshat.
Më tej në aktakuzë thuhet se më datë 30.04.1999, forcat serbe fillimisht kanë hyrë në shtëpinë e familjes Hyseni, të cilën nën kërcënimin e armëve e kanë urdhëruar që të shkoj në shtëpinë e familjes Shabani, me të arritur aty, forcat serbe i vendosin anëtarët e të dy familjeve Shabani dhe Hyseni në një dhomë të shtëpise, pastaj i kanë maltretuar, duke iu kërkuar para dhe gjësende me vlerë dhe në momentin kur u kanë thënë që nuk kanë më asgjë, forcat serbe i kanë vrarë me armë zjarri një nga një, me nga një të shtënë të armës. Në aktakuzë thuhet se u vranë 11 anëtarë të familjeve Hyseni dhe Shabani si dhe dy persona të strehuar.
Sipas aktakuzës këto viktima janë: H. H., A. H., A. H., D. H., F. H., M. H., R. Sh., S. Sh., Z. Sh., F. Sh., (foshnjë 2 vjeçare), S. I., Xh. B., dhe B. H., (16 vjeçar).
Më tej në aktakuzë thuhet se nga kjo vrasje makabër, shpëtuan Deli Hyseni i cili më pas ka thirrur: “A ka shpëtuar ndokush”, dhe në ato momente janë lajmëruar Vlora Shabani, Drita Hyseni, Ymer Hyseni, Blerina Hyseni dhe Leonora Hyseni, të cilët sapo janë bashkuar, Deli Hyseni ja ka dhënë Vlorës dhe Ymerit një letër të shkruar në gjuhën serbe për ta lajmëruar Komandantin e Stacionit Policor në Zhegër për krimin e ndodhur.
Sipas aktakuzës të dy menjëherë janë nisur dhe e kanë lajmëruar policin e Stacionit Policor në Zhegër, kurse në ndërkohë derisa Deliu dhe të tjerët po prisnin në shtëpi, kanë vërejtur se nga jashtë ishte thyer xhami i dritares së dhomës, ku gjendeshin të vrarët dhe brenda është hedhur lëndë djegëse, e cila ishte ndezur menjëherë dhe kufomat janë përfshirë nga zjarri i madh, kurse Deliu me të tjerët ka arritur që të largohen dhe të dalin jashtë shtëpisë, ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë ardhur disa policë të stacionit të Zhegrës të cilët kanë urdhëruar që deri nesër në mengjes të mos bëjnë asgjë.
Në dosjen e Prokurorisë më tej thuhet se të nesërmen në vendin e ngjarjes, pos të tjerëve, ka dalë edhe i pandehuri Naskoviç, në cilësinë e Komandantit, i cili në bashkëpunim me Komandantin e Stacionit Policor në Gjilan, kanë urdhëruar rrafshimin e vendin të ngjarjes nga kompania regjionale e pastrimit.
Sipas aktakuzës e gjithë kjo është bërë me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit makabër që ishte kryer një ditë më parë nga forcat serbe.
Sipas aktakuzës i pandehuri Naskoviç, edhe pse ishte i detyruar të ndërmarr veprime, si komandant i atij nënstacioni, është larguar nga vendi i ngjarjes, pa ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme që ishin në kompetencën dhe përgjegjsinë e tij për të parandaluar apo raportuar kryesit e kësaj masakre.
Më tej në aktakuzë thuhet se nga data 06.04.1999 e deri me datë 13.04.1999, çdo ditë pas patrullimit të kryer nga i pandehuri Dragutin Naskoviç, si komandant i atij stacioni, që zakonisht ka ndodhë nga ora 9 deri në ora 10 të paradites, menjëherë policë e qytetar serb, kanë kryer plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë së civilve shqiptarë, ku 90% të shtëpive u plaçkitën, e më pas u dogjën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale civilëve shqiptarë.
Në dosje thuhet se duke pas parasysh këto rrethana, kur i pandehuri si komandant ka patrulluar ditën e dytë, tretë, katërt e tutje, i ka parë këto shtëpi të plaçkitura dhe të djegura dhe asnjëherë nuk i ka parandaluar këto veprime të dëmshme të shkaktuara nga këto forca në dëm të popullatës civile, por pas çdo patrullimi, në vend që të shkonte në stacion, ai shkonte në fshatin Pasjan, e që të lë të nënkuptosh sikur t’i lajmëronte ata se: “une e kreva patrullimin e ju shkatërroni e digjeni çka të gjeni”.
Tutje në aktakuzë thuhet se në mëngjesin e datës 13.04.1999, pothuaj se të gjithë banorët civil të fshatit Llashticë, që ishin të strehuar në tenda najloni në male, u rrethuan nga forcat serbe u detyruan që të shkojnë në fshat, ku pasi u plaçkitën nga forcat serbe, duke ua marr të gjitha parat dhe sendet me vlerë, i detyruan që të largohen nga fshati me traktorë, kultivatorë e mjete tjera transportuese.
Me këto veprime Dragotin Naskoviç nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës./Periskopi/



