Hamza: Qytetarët po ikin sepse e kanë humbur shpresën, kjo gjendje do të ndryshojë

Hamza: Qytetarët po ikin sepse e kanë humbur shpresën, kjo gjendje do të ndryshojë

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar ish-qeverinë Kurti II, duke e akuzuar për dështim në menaxhimin e krizës së kostos së jetesës, duke e cilësuar rritjen e çmimeve si barrën kryesore që ka rënduar jetën e qytetarëve gjatë viteve të fundit.

Në një paraqitje televizive në emisionin “Debat Plus”, Hamza vuri theksin te rritja e çmimeve tek produktet esenciale në veçanti.

Sipas Hamzës, rritja e çmimeve nuk është margjinale, por ka prekur nivele shqetësuese prej 40 deri në 50 për qind. Ai gjithashtu veçoi shtrenjtimin e energjisë elektrike si një faktor zinxhir që ka rritur koston e operimit për të gjitha bizneset, qofshin ato prodhuese apo shërbyese.

Hamza e ndërlidhi situatën e rënduar ekonomike direkt me ikjen e qytetarëve nga Kosova. Ai u shpreh se emigrimi po ndodh sepse qytetarët e kanë humbur shpresën në perspektivën e vendit.

Megjithatë, ai e përmbylli deklaratën e tij me një zotim për ndryshim, duke thënë se “kjo gjendje do të ndryshojë”.

“Në vitet e fundit në Kosovë ka dominuar rritja e çmimeve, inflacioni, sidomos te produktet e shportës bazë. Rritja e çmimeve me 40 me 50 për qind. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, që është një element që ndikon në koston e operimit të të gjitha bizneseve, qofshin ato prodhuese apo shërbyese, e ka përkeqësuar standardin e jetesës të qytetarëve të Kosovës. Pagat dhe pensionet nuk e kanë përcjellë nivelin e rritjes së çmimeve dhe në këtë mënyrë është përkeqësuar standardi i jetesës. Si rezultat, ne e kemi edhe emigrimin, sepse e kanë humbur shpresën në Kosovë dhe kjo gjendje do të ndryshojë.” – tha Hamza./Periskopi

Shpërndaje në: