E tepruat me ushqimin për Vitin e Ri? Kjo pije e thjeshtë qetëson stomakun që sot
Receta e thjeshtë që mund të ndihmojë kundër fryrjes dhe kapsllëkut
Vaktet e bollshme festive shpesh çojnë në probleme me tretjen, si kapsllëku, që mund t’ua prishë ndjeshëm ditët e festave. Ndërsa shumë njerëz kthehen gradualisht te ushqimi i zakonshëm, një mjek propozon një mënyrë të thjeshtë dhe natyrale për të lehtësuar shqetësimet e stomakut.
Pije për tretje më të mirë
Dr. John Valentine, i njohur në rrjetet sociale si @healthylifesage, ka shpjeguar në detaje një pije që mund ta provoni për të përmirësuar tretjen dhe për të reduktuar fryrjen dhe kapsllëkun, shkruan Index.hr.
Përgatitja, sipas tij, është shumë e thjeshtë: “Zieni një filxhan ujë dhe shtoni një majë kripe deti dhe pak sheqer. Lëreni të vlojë për pesë minuta, hiqeni nga zjarri dhe shtrydhni gjysmën e një limoni të freskët”, shpjegon dr. Valentine. Lëngu duhet pirë “esëll dhe t’i lihet shkencës të bëjë të vetën”.
Si vepron kjo pije?
Mjeku shpjegon edhe prapavijën shkencore të përzierjes: “Nëse keni vështirësi për të shkuar në tualet, mund të rrisni sasinë e kripës. Kripa krijon një efekt osmotik, duke tërhequr ujin në zorrë për të zbutur përmbajtjen”, thotë ai.
“Në të njëjtën kohë, acidi citrik i limonit vepron si një stimulues i fuqishëm natyral i tretjes. Kjo jo vetëm që pastron zorrët, por ndihmon edhe në luftimin e erës së keqe të gojës në rrënjë të problemit, duke e adresuar atë nga stomaku”, shton ai. Sipas tij, ndryshimi duhet të ndihet pas konsumimit të pijes për “disa ditë”, transmeton Telegrafi.
Përfitime shtesë dhe paralajmërime
Kjo pije, e njohur edhe si shpëlarje me ujë të kripur, “vepron si laksativ”, konfirmon portali shëndetësor MedicineNet. “Përzierja stimulon zbrazjen e zorrëve, kështu që mund të përjetoni jashtëqitje më të rregullta dhe lehtësim nga kapsllëku”, thuhet në portal.
Përveç lehtësimit të kapsllëkut, kjo përgatitje mund të ndihmojë edhe në zbutjen e ngërçeve muskulore, nxitjen e tretjes, lehtësimin e migrenës, madje edhe në reduktimin e aromave të pakëndshme të trupit, pasi kripa Himalaje përmban minerale të rëndësishme si natriumi, kaliumi, kalciumi dhe magnezi.
Megjithatë, mjeku paralajmëron se solucionet e gatshme për shpëlarje që shiten në dyqane mund të jenë të rrezikshme: “Këto tretësira mund të përmbajnë deri në 4.700 mg kripë, gati dyfishin e sasisë ditore të rekomanduar të natriumit”. Po ashtu, theksohet se konsumimi i shtuar i kripës nuk rekomandohet për personat me çrregullime të funksionit të veshkave../Periskopi/



