Katër ditë pa ujë në Fushë Kosovë: “Shtëpitë po na qelben, nuk jemi larë asnjëherë – ujin e ngrohim në tenxhere”
Fushë Kosova po përjeton një krizë serioze humanitare, e cila po zgjat tash e katër ditë rresht. Që nga e marta, dita kur reshjet e shiut shkaktuan vërshime dhe turbullira të mëdha, qytetarët e kësaj komune kanë mbetur praktikisht pa ujë të pijes dhe pa kushte elementare higjiene.
Uji në rubineta nuk mungon plotësisht, por vjen vetëm dy apo tri herë në ditë, për një deri në dy minuta, kohë e pamjaftueshme për çfarëdo nevoje bazike. Banorët thonë se nuk arrijnë as të lahen, as të pastrojnë rrobat, e as të kryejnë higjienën minimale në banesa, përveçse të mbushin ndonjë kovë në panik, sa herë që uji shfaqet për pak çaste, shkruan demokracia.com, transmeton Periskopi.
“Uji vjen aq shkurt sa mezi mbushim një kovë. Tri ditë nuk jemi larë. Shtëpia ka filluar të marrë erë, po na qelben banjot,” thotë një banor i lagjes Dardania.
Situata ka detyruar shumë familje që ujin ta ngrohin në tenxhere mbi shporet, për të arritur sadopak të lahen ose të pastrojnë fëmijët.
“Nuk kemi larë rroba që tri katër ditë. As banjon nuk mund ta pastrojmë. Gjithçka po mbetet e ndotur. Nuk është më çështje rehatie, por shëndeti”, shprehet një qytetare nga kompleksi “Eliza”.
Në mungesë të furnizimit të rregullt, Komuna dhe KRU Prishtina kanë nisur shpërndarjen e ujit të pijes me cisterna, por vetëm në pika të vogla dhe me orare të kufizuara, çka qytetarët e konsiderojnë të pamjaftueshme dhe diskriminuese.
“Duhet të dalësh nga puna, të presësh në radhë, për pak ujë. Edhe aty, sasia është minimale. Ndërkohë, shtëpia po bëhet e pajetueshme”, thotë një banor tjetër i Fushë Kosovës.
Sipas sqarimeve zyrtare, shkaku i krizës është paaftësia e ujësjellësit për të prodhuar sasi të mjaftueshme uji të filtruar, për shkak të turbullirave të mëdha në burime dhe në fabrikën e trajtimit. Por qytetarët pyesin se pse pas çdo shiu, Fushë Kosova mbetet pa ujë?
“Kjo nuk është hera e parë. Sa herë bie shi, ne mbesim pa ujë. A nuk është kjo dështim i sistemit. A nuk duhej të kishte zgjidhje afatgjate”, shtron pyetjen një qytetar.
Njoftimi i KRU “Prishtina” në rrjetin social Facebook për mungesën e ujit në Fushë Kosovë është shndërruar në një mur ankesash e shpërthimesh qytetare, ku komentet e mbushura me zemërim, sharje dhe akuza pasqyrojnë revoltën e thellë ndaj një situate që, sipas tyre, ka kaluar çdo kufi durimi. /Periskopi








