Mungon njëri i akuzuar, shtyhet seanca për grabitjen e afër 1 milion eurove dhe mbi 46 mijë dollarëve
Në mungesë të të akuzuarit Agron Berisha, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku së bashku me Berishën po akuzohen edhe Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka dhe Viktor Sogojeva.
Kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi, tha se për të akuzuarin Agron Berisha gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me shoqërim, por që nga stacioni policor janë informuar se ai nuk është gjetur në shtëpi dhe se nga banorët e lagjes janë njoftuar se i akuzuari për një kohë të gjatë nuk është parë.
Po ashtu, stacioni policor e ka njoftuar gjykatën se Berisha ka edhe një urdhërarrest tjetër aktiv, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Periskopi.
Në këto rrethana, prokurori i rastit, Kastriot Memaj propozoi që të veçohet procedura ndaj Berishës dhe të vazhdohet procedura për të akuzuarit tjerë.
Palët e dëmtuara u pajtuan me propozimin e e prokurorit.
Mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka dhe Viktor Sogojeva, avokatët Ymer Huruglica, Sherif Sherifi, Fitim Maloku dhe Haxhi Millaku, u pajtuan që të veçohet procedura ndaj të akuzuarit Agron Berisha.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Agron Berisha, avokati Bekim Kafexholli, tha se tani për tani nuk mund ta arsyetojë mosprezencën e të mbrojurit të tij, por që duhet të ketë arsye mosprezenca e tij.
Po ashtu, ai tha se i mbrojturi i tij çdo herë ka qenë prezent në seancat e mbajtura, andaj kërkoi që seanca të shtyhet për një datë të arsyeshme, ashtu që të marrë informatat për vendndodhjen e tij.
Më pas, gjykatësja Bytyqi tha se për propozimin e palëve për veçim të procedurës për të akuzuarin Berisha, Gjykata do të vendos pas ndërmarrjes së veprimeve procedurale sipas dispozitave ligjore, andaj edhe shtyhet shqyrtimi gjyqësor.
Ndryshe në seancën e 13 janarit 2025, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Të akuzuarit Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka, Agron Berisha, Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli po akuzohen për veprën penale “Pjesmarrja ose organizim i grupit kriminal” dhe “Grabitja”. Kurse, Sogojeva, Berisha dhe Muqolli ngarkohen edhe për “Përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm”. I akuzuari Berisha akuzohet po ashtu për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sogojeva edhe për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shtija e armëve apo materieve plasëse”.
Ndryshe, pas kërkesës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për të vendosur për kompetencë të trajtimit të lëndës, ajo e Apelit ka vendosur se lënda në këtë rast duhet të gjykohet nga Departamenti Special i Themelores në Prishtinë dhe aktakuza të përfaqësohet nga Prokuroria Speciale.
Bashkë me pesë të akuzuarit e lartpërmendur akuzohet edhe Nexhat Muqolli, por ndaj tij është bërë veçimi i procedurës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 13 mars 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Dardan Gashi, Milaim Lipovica, Kushtrim Xhaka, Agron Berisha,Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli.
Në pikën e parë të aktakuzës, thuhet se më 18 nëntor 2021 në fshatin Parallovë të Komunës së Novobërdës, të pandehurit si grup kriminal kishin grabitur shumën e parave prej 996 mijë e 271 euro e 24 centë dhe 46 mijë e 780 dollarë amerikanë në dëm të të dëmtuarve: Bankës Pro Credit dhe kompanisë “Besa Security”, të dyja me seli në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Dardan Gashi kishte siguruar veturën “Vovlo” dhe e kishte vënë në shërbim, kurse i akuzuari Milam Lipovica si menaxher i kompanisë “Besa Security” kishte përgatitur automjetin special për transportim e parave të gatshme dhe se pa dijeni të pronarit të kompanisë, automjetin e dërgon te autoservisi me pronar të akuzuarin Kushtrim Xhaka.
Aktakuza thotë se automjetit ia vendosin pajisjen elektronike për çaktivizim të motorit nga distanca përmes teledirigjimit, pas kësaj e testojnë brenda lokalit si dhe në rrugët e Prishtinës. Aty thuhet se më 18 nëntor 2021, të akuzuarit me automjetin “Volvo” dhe “Zafira” që ishin të parkuar në garazhin e të akuzuarit Xhaka, me dy automjete të akuzuarit Agron Berisha, Viktor Sogojeva dhe Nexhat Muqolli edhe me një nga të pandehurit tjerë, përmes rrugës dytësore nga Prishtina shkojnë në fshatin Parallovë dhe në largësi prej 200 metrash nga rruga Prishtinë-Gjilan e lënë të fshehur veturën “Volvo”, kurse me veturën “Zafria” shkojnë në Gjilan.
Në aktakuzë thuhet se pasi takojnë automjetin “Fiat”, i cili kishte grumbulluar paratë nga bankomatet në Ferizaj, Viti dhe Gjilan për t’i dërguar në Bankë Qendrore të Pro Credit në Prishtinë, me veturën “Zafira” i vihen nga prapa nën përcjellje. Pasi arrijnë në Parallovë, “Fiatin” e ndalojnë me teledirigjim, ku motori i automjetit fiket, me këtë rast me veturën “Zafria” i dalin përpara veturës “Fiat”, dhe dalin fillimisht të akuzuarit Viktor, Agron dhe Nexhat, të maskuar e të armatosur me armë të gjata- kallashnikov.
Gjithnjë sipas aktakuzës, fillimisht i akuzuari Viktor e pastaj edhe të akuzuarit Agron dhe Nexhat fillojnë të shtien në parafango dhe pastaj në xham të shoferit të veturës “Fiat” dhe arrijnë që shoferin dhe tre punëtorët t’i nxjerrin nga vetura dhe t’i çarmatosin e t’i shtrijnë përtokë.
Tutje, sipas aktakuzës, nga vetura “Zafira” del personi i katërt, duke iu bashkuar tre të akuzuarve, dhe i akuzuari Nexhat hyn në automjetin “Fiat” dhe duke shfrytëzuar njohuritë e marra nga i akuzuari Milaim, përmes pultit të vendosur në “Fiat”, hap kargon e automjetit ku ishin të vendosura paratë, nga aty nxjerr 10 çanta të mbushura me para, i vendosin në automjetin “Zafira” dhe ikin nga vendi i ngjarjes.
Sipas aktakuzës, të njëjtit shkojnë te vetura “Volvo”, i fusin çantat me para dhe pastaj djegin veturën “Zafira” dhe vazhdojnë rrugën në drejtim të Prishtinës, ashtu që në fshatin Sllovi paratë i nxjerrin nga çanta, ndërsa çantat i hedhin në skaj të rrugës dhe vijojnë rrugën për Prishtinë.
Në aktakuzë thuhet se veturën “Volvo”e dërgojnë dhe e lënë të braktisur në fshatin Harilaq, ku pas 3-4 ditëve ishte identifikuar dhe sekuestruar nga ana e Policisë së Kosovës. Me këto veprime, të akuzuarit si grup kriminal i kanë shkaktuar dëm Bankës Pro Credit dhe pronarit të kompanisë “Besa Security”-Abedin Hasanit në shumën prej 996 mijë e 271 euro e 24 centë dhe 46 mijë e 780 dollarë amerikanë.
Prandaj për këto veprime, të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga nenin 277, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, paragrafi 3 dhe nenin 31 të KPRK-së.
Tutje, sipas pikës të dy të aktakuzës, të pandehurit Viktor Sogojeva, Agron Berisha dhe Nexhat Muqolli me datë dhe kohë të njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, me rastin e grabitjes së parave si grup kriminal, pa leje kishin mbajtur dhe përdorur armën e tipit Kallashnikov AK 47.
Për këtë, Sogojeva, Berisha dhe Muqolli po ngarkohen edhe për verpën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Tutje, sipas pikës tre të aktakuzës, sërish i akuzuari Berisha ngarkohet se më 17 janar 2023 pas bastisjes së realizur me vendim të gjykatës, në shtëpinë e tij i ishte gjetur arma e tipit “TT-M-57” dhe 13 fishekë.
Për çka, po ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga nenin 366, paragrafi 1 KPRK-së.
Dhe krejt në fund, sipas pikës katër të aktakuzës, i akuzuari Viktor Sogojeva gjatë vitit 2022 në kohë të pacaktuar e deri më 17 janar 2023, kishte shkuar në Beograd, Nish, Vrajnë dhe Preshevë, ku në vazhdimësi ishte furnizuar duke blerë armë disa pushkë automatike AK-47, pushkë gjysmë-automatike me snajper, armë shkorpion, disa lloje të pistoletave dhe 4 mijë fishekë, meqë rast i kishte shitur në Kosovë me çmime nga 600 euro e deri 900 euro, varësisht nga tipi dhe municionin prej 0.50 centë për copë.
Aktakuza thotë se me rastin e bastisjes sipas vendimit të gjykatës, të njëjtit i ishin gjetur 2 karikatorë, 13 fishekë, 6 gëzhoja dhe një kondak i pushkës.
Prandaj për këto veprime, Sogojeva po ngarkohet edhe për veprën penale “Importi eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shtija e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 me nenin 77 të KPRK-së.



