Simeone kërkon ndjesë publike ndaj Vinicius Jr dhe Florentino Perez pas incidentit në Superkupë
Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka kërkuar publikisht ndjesë ndaj Vinicius Jr dhe presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, pas sjelljes së tij gjatë gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës mes dy skuadrave.
Duke folur për mediat përpara ndeshjes së Atletico Madridit në Kupën e Mbretit ndaj Deportivo La Coruna, Simeone iu rikthye incidentit në të cilin u pa duke provokuar Vinicius Jr nga zona teknike.
Trajneri argjentinas i ishte referuar fishkëllimave që braziliani ka marrë në “Santiago Bernabeu”, duke sugjeruar gjithashtu se Florentino Perez do ta shkarkonte atë në fund të sezonit.
“Florentino do të të shkarkojë, mbaje mend çfarë po të them”, u dëgjua Simeone duke thënë gjatë ndeshjes.
Këto komente shkaktuan reagim të ashpër nga Vinicius Jr dhe trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ndërsa klubi madrilen e konsideroi sjelljen e Simeones si tejkalim të kufijve.
Pas reflektimit mbi situatën, Simeone doli me një deklaratë publike, duke pranuar gabimin e tij dhe duke kërkuar ndjesë.
“Dua t’i kërkoj ndjesë zotit Florentino dhe zotit Vinicius për incidentin që panë. Ishte e gabuar nga ana ime të vendosja veten në atë pozicion dhe e pranoj se kam gabuar”, u shpreh Simeone.
Megjithatë, trajneri i Atletico Madridit sqaroi se deklarata e tij ishte thjesht një ndjesë, pa shkuar deri te kërkimi i faljes.
“Kërkoj ndjesë, por nuk kërkoj falje. Nuk kam asgjë më tepër për të shtuar”, përfundoi Simeone raporton Telegrafi përcjell Periskopi






