Ish-zëvendëskryeministri shqiptar: Hetojeni kush fshihet pas “Lidl” në Shqipëri, kjo skemë duhet ndalur
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka ngritur publikisht shqetësime serioze lidhur me projektin e terminalit doganor të Lidl në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një rast që kërkon hetim të thelluar publik dhe institucional mbi mënyrën e zbatimit të ligjit për investimet strategjike.
Sipas Ahmetajt, Lidl ka përfituar një terminal doganor përmes një kontrate 35-vjeçare me rinovim automatik, ndërkohë që brenda një rrezeje prej 5 kilometrash ndalohet çdo aktivitet tjetër i ngjashëm. Ai thekson se kjo ka sjellë shpronësime masive të pronarëve privatë, jo në funksion të një interesi të gjerë publik, por në favor të drejtpërdrejtë të një subjekti privat, çka sipas tij duhet të jetë objekt hetimi.
Ahmetaj deklaron se shpronësimet janë kryer praktikisht për llogari të Lidl, duke vënë seriozisht në dyshim konceptin e “interesit publik” që përdoret për të justifikuar ndërhyrjen e shtetit. Ai shton se magazina doganore është dhënë ende pa u ndërtuar porti përkatës, fakt që e bën gjithë skemën edhe më të paqartë dhe problematike.
Sipas tij, ligji për investimet strategjike është shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme dhe të dëmshme, duke e cilësuar këtë praktikë si grabitje të pasurisë publike dhe private. Dhënia e një magazine doganore në këto kushte, pa përmbushur kriteret bazë infrastrukturore, përbën një precedent të rrezikshëm që duhet ndalur.
Në deklaratën e tij, Ahmetaj thekson se rreth projektit Lidl qarkullojnë shumë dyshime dhe thashetheme mbi aktorët që qëndrojnë realisht pas tij, duke bërë thirrje që çështja të hetohet nga gazetarët, opinioni publik dhe institucionet shqiptare.
“Kush qëndron realisht pas Lidl, le ta zbulojnë gazetarët. Kjo skemë duhet ndalur,” u shpreh Ahmetaj, duke e cilësuar rastin si një test serioz për transparencën, ligjshmërinë dhe mbrojtjen e interesit publik në Shqipëri./Periskopi/



