Kërkohej nga INTERPOL, arrestohet nga Policia e Kosovës shtetasi kosovar
Policia e Kosovës ka arrestuar sot, një person të dyshuar shtetas të Republikës së Kosovës, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale.
I dyshuari ka qenë në kërkim përmes INTERPOL-it, bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Republika e Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me Stacionin Policor në Malishevë.
Autoritetet shqiptare e kërkonin nën dyshimet për përfshirje në trafikim të narkotikëve, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit përmes një grupi të strukturuar kriminal. Po ashtu, ai dyshohet për futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe për kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, vepra këto të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të vazhdohet me procedurat përkatëse ligjore, përfshirë edhe hapat e mëtejmë lidhur me ekstradimin e tij.
Në njoftim thuhet se i dyshuari përmes INTERPOL-it ka qenë në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Republika e Shqipërisë./Periskopi/



