Rinumërimi, një kandidati në Dragash i ‘avullohen’ 230 vota
Dragashi është njëra nga 10 komunat për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të rinumërohen 100% e votave të kandidatëve për deputetë.
Rinumërimi për këtë komunë ka përfunduar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, derisa fillimisht ato ishin numëruar në Qendrën Komunale të Numërimit.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, del se ka dallime në mes të numërimit në QKN dhe rinumërimit.
Dallimi më i madh në vota në listën për kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje e cila në Dragash ka marrë 37.97% të votave, ka kandidati për deputet nga Dragashi, Filiz Mustafa. Mustafa sipas të dhënave nga QKN kishte marrë 3 mijë e 36 vota kurse pas numërimit i dolën 2 mijë e 805 vota. Kjo i bie se Mustafës, pas rinumërimit i dolën 231 vota më pak.
Valon Hoti, sipas të dhënave nga QKN kishte marrë 811 vota kurse në QNR i dolën 766, apo 45 vota më pak.
Albin Kurtit i dolën 20 vota më pak, Glauk Konjufcës 28, ndërsa Albulena Haxhiut e Avni Deharit nga 12 vota më pak.
Në listën e LDK-së e cila ka dalë e dyta në Dragash me 19.79% ka dallime më të vogla në shifra.
Lumir Abdixhikut në QNR i dolën 8 vota më pak, Samidin Xheladinit 6, kurse Esra Myrtezanit i dolën 4 vota më shumë.
Zeni Krasniqit në QNR i dolën 1 mijë e 346 vota për dallim nga QKN që i kishin dalë 1 mijë e 362, kjo i bie se pas rinumërimit Krasniqit i dolën se ka marrë 16 vota më pak.
Sipas rinumërimit, Xhavit Ukës i dolën 5 vota më pak në QNR e Ukë Rugovës 3.
PDK në Dragash ka dalë e treta me 17.98% të votave. Në këtë listë pas rinumërimit Bedri Hamzës i dolën 7 vota më pak.
Hamdi Muhametit i dolën 23 vota më pak, kurse kandidates tjetër Linda Nebiu nga 931 vota sa i dolën në QKN, ra në 857 vota pas rinumërimit apo 74 vota më pak.
Abelard Tahiri sipas të dhënave fillestare kishte marrë në Dragash 470 vota kurse pas rinumërimit i dolën 411 apo 59 vota më pak, raporton Kallxo.com, transmeton Periskopi.
Në 10 komuna, rinumërohen të gjitha vendvotimet, kurse në 28 komuna të tjera rinumërohen nga 10% e vendvotimeve.
Rinumërimi i plotë bëhet në Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi kishte konfirmuar për KALLXO.com se rinumërimi i këtyre 36% të vendvotimeve, mund të zgjasë 12 deri në 14 ditë.
“Në QNR numërimi do të bëhet në 20 tavolina numërimi dhe brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 kuti votimi. Numërimi i 914 vendvotimeve, që përbënë 36% të vendvotimeve, mund të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë.”- deklaroi Elezi më 14.01.2026.
KQZ ka thënë se rinumërimi ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor e se synojnë verifikimin e çdo vote dhe sigurimin që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve drejtë.
Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues në Listën Votuese.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086.
Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Votimi në 29 përfaqësi diplomatike, në gjithsej 18 shtete ka ndodhur më 27.12.22025.
Procesi zgjedhor jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme, sipas të dhënave të KQZ-së. Atje patën të drejtë vote, 19,187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike.
Të dhënat e numërimit mund të qasen në këtë vegëz./Periskopi/



