Kthimet e emigrantëve: Cilat vende të BE-së po rrisin riatdhesimet?
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, gjithnjë e më shumë migrantë në Bashkimin Europian po dërgohen përsëri në vendet e tyre të origjinës ose po rikthehen në vende të tjera.
Në tremujorin e tretë të vitit 2025, gati 42 mijë shtetas jo të BE-së u dëbuan nga shtetet anëtare. Kjo përfaqëson një rritje prej 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur shtetet anëtare realizuan rreth 35 mijë riatdhesime, raporton Euronews.al,transmeton Periskopi.
Shumica dërrmuese (82%) u larguan nga Bashkimi Europian, ndërsa rreth 18% e këtyre kthimeve u bënë drejt vendeve të tjera të BE-së.
Ndër to, Gjermania ka zgjeruar ndjeshëm operacionet. Gjatë vitit të kaluar, Berlini e ka trefishuar numrin e kthimeve, duke arritur pothuajse në 12 mijë në tremujorin e tretë të vitit 2025, duke lënë pas Francën (me gati 5 mijë) dhe pjesën tjetër të BE-së.
Edhe Belgjika fqinje duket se po ndjek të njëjtin drejtim, me kthimet e shtetasve jo të BE-së që pothuajse janë dyfishuar nga tremujori i tretë i vitit 2024 (730) në tremujorin e tretë të vitit 2025 (1,210).
Cilat kombësi po riatdhesohen më shpesh?
Numrat më të lartë të riatdhesimeve në të gjithë BE-në në tremujorin e tretë të vitit 2025 u raportuan për shtetasit algjerianë (12,325) dhe marokenë (6,670).
Krahasuar me tremujorin paraardhës, rritjet më të mëdha u shënuan për shtetasit turq (+15%), sirianë (+9%), rusë (+7%), gjeorgjianë (+5%) dhe shqiptarë (+2%).
Eurostat njofton se 40% e të gjitha kthimeve u klasifikuan si “të detyruara”, që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e personave që morën urdhër për t’u larguar nuk e zbatuan atë vullnetarisht, por u detyruan në një formë ose tjetër.
Megjithatë, këto shifra ndryshojnë ndjeshëm nga një vend i BE-së në tjetrin.
Danimarka ka përqindjen më të lartë të kthimeve të detyruara (91%), e ndjekur nga Rumania (82%) dhe Bullgaria (80%).
Në fakt, Italia raporton një përqindje edhe më të lartë, 100%. Megjithatë, një shifër kaq e rrumbullakosur mund të pasqyrojë dallime në praktikat e raportimit mes vendeve të BE-së, në kushtet e procedurave të fragmentuara të riatdhesimit.
Sipas Eurostat, rreth 77% e të gjitha kthimeve përfshijnë një formë asistence financiare, si ndihmë për blerjen e biletave ose pagesa në para në momentin e nisjes ose mbërritjes.
Pse po zbatohen kaq pak urdhra riatdhesimi?
Ekziston një hendek i madh mes numrit të urdhrave për riatdhesim të lëshuar nga shtetet anëtare dhe atyre që përfundojnë realisht: 41,890, ose rreth 36% e totalit.
Franca, për shembull, lëshoi numrin më të madh të urdhrave, gati 34 mijë në tremujorin e tretë të vitit 2025. Megjithatë, ajo zbatoi vetëm 14% të tyre, një normë e ngjashme me Greqinë (14%) dhe Spanjën (13%).
Ky hendek shpjegohet nga disa faktorë.
Në disa raste, autoritetet nuk arrijnë të përcaktojnë vendin e origjinës së emigrantit. Në raste të tjera, kthimet mund të vonohen ose të pezullohen për arsye shëndetësore, ose sepse personi është i mitur i pashoqëruar.
Në fillim të dhjetorit, vendet e BE-së miratuan projekt-legjislacion që synon të përshpejtojë kthimet. Sipas kuadrit të ri, shtetet anëtare do të lejohen të lidhin marrëveshje dypalëshe me vende të treta për të ngritur qendra pritjeje për emigrantët jashtë BE-së.
Këto qendra do të përdoren për të strehuar emigrantët ndërsa aplikimet e tyre shqyrtohen dhe statusi i tyre verifikohet.
Organizatat e të drejtave të njeriut, megjithatë, argumentojnë se zhvendosja e këtyre qendrave jashtë territorit të BE-së mund të çojë në kthime të paligjshme dhe ndalime arbitrare. / Periskopi



