Manipulimi i madh i votave brenda partive, kërkohet aktivizimi i prokurorisë

Manipulimi i madh i votave brenda partive, kërkohet aktivizimi i prokurorisë

Ndryshimi i madh në numrin e votave te disa kandidatë për deputetë, në rezultatet brenda partive, sipas juristëve përbën lëndë për Prokurorinë. Teksa përjashtuan mundësinë e “gabimeve njerëzore” te rastet e dallimeve deri në qindra ose mijëra, juristët thanë se duhet të veprohet mbi bazën e dyshimeve për kryerjen e veprës penale “falsifikim i rezultateve të votimit”.

Procesi i rinumërimit, deri tani, vuri në pah ndryshime nga disa vota, në dhjetëra, qindra, e te kandidatë të caktuar brenda partive deri në mijëra sish, në raport me rezultatet e nxjerra në Qendrat Komunale të Numërimit.

Në vlerësimin e juristëve, rastet ku dallimi në rezultat arrin në numra tre dhe katër shifror përbëjnë lëndë për Prokurorinë.

Edhe pse përmendi një “hapësirë për gabime njerëzore e teknike”, avokati Arbër Jashari tha se rinumërimi po dëshmon që në raste të caktuara nuk bëhet fjalë për të tilla.

“Konsideroj se është normale që aty ku punohet edhe mund të gabohet sidomos kur kemi të bëjmë me shifra dhe numërime të votave, por gabimet që po dalin në pah tash me rastin e një rinumërimi të votave po shihet që ka një tendencë të qartë të manipulimit të rezultateve të votimit në favor të disa kandidatëve për deputetë”, ka thënë Arbër Jashari.

Rastet e ndryshimeve e mëdha, sipas avokatit Visar Rrecaj, duhet të hetohen për kryerjen eventuale të veprës penale falsifikim i rezultateve të votimit.

“Gabimi njerëzor me një, me dy, me pesë, hajde edhe me dhjetë në nivel vendi, kur kemi me i numërua 1 milion fletëvotime. Mirëpo, fletëvotimet për një kandidatë që shkojnë plus-minus 1900 aty nuk ka më gabim, aty ka vjedhje. Aty ka vepër penale. Dhe, Prokuroria e Shtetit qysh në ditën kur ka dalë kjo diskrepancë, ka qenë dashtë të shkojë në atë vendvotim dhe të urdhërojë arrestimin e të gjithë atyre që kanë numëruar vota aty”, ka thënë Visar Rrecaj, raporton Tv Dukagjini , transmeton Periskopi

Shpërndaje në: