A pati marrëveshje mes komisionerëve të partive në Prizren? – të gjithë kandidatët atje dolën minus mijëra vota
Rinumërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka zbardhur manipulime me vota që shkojnë deri në mbi 4 mijë vota për një kandidat të vetëm. Devijimet më të mëdha në vota deri më tash kanë rezultuar në Prizren, ku më e prekura është Partia Demokratike e Kosovës.
Të dhënat e fundit nga QNR tregojnë një diskrepancë serioze mes votave të raportuara dhe atyre reale në kuti.
Partia Demokratike e Kosovës përmes një reagimi theksoi se çdo indikacion për cenim apo manipulim të votës është i papranueshëm.
Derisa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar kandidatët për deputet nga Prizreni, Anton Quni e Driton Selmanaj – që të dy u distancuan nga manipulimi me votat e qytetarëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Të dhënat e KQZ-së tregojnë se pothuajse në të gjitha partitë politike ka mospërputhje të votave në Prizren, por në disa raste ndryshimet shkojnë në mijëra vota për vetëm një kandidat.
Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), kandidati që rezulton të ketë përfituar më së shumti nga numërimi fillestar është Arbër Rexhaj, i cili pas rinumërimit ka 439 vota më pak. Pas tij vijnë Rea Krasniqi me 402 vota më pak, Valon Ramadani me 308 vota më pak dhe Dafina Alishani me 250 vota më pak.
Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dallimet janë edhe më të thella.
Fetah Paçarizi rezulton me 4,006 vota më pak pas rinumërimit, ndërsa Nait Hasani ka humbur 2,213 vota. Kujtim Gashi ka 1,551 vota më pak, ndërsa Arianit Çollaku 1,397 vota më pak.
Ndryshime të konsiderueshme janë vërejtur edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Kandidati Xhavit Uka pas rinumërimit ka 1,020 vota më pak, Driton Selmanaj 757 vota më pak, Anton Quni 412 vota më pak, ndërsa Visar Azemi 321 vota më pak.
Lëvizja Vetëvendosje



Partia Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës





