“Vedat Muriqi, sinonim i golit” – Mallorca e ngre në qiell sulmuesin kosovar

“Vedat Muriqi, sinonim i golit” – Mallorca e ngre në qiell sulmuesin kosovar

Vedat Muriqi po vazhdon të shkruajë histori me fanellën e Mallorcës, duke u shndërruar në një nga figurat kyçe të skuadrës spanjolle në La Liga.

Forma e tij e shkëlqyer ka bërë që edhe vetë klubi ta vlerësojë publikisht, duke shkruar në rrjetet sociale se “Muriqi është sinonim i golit”, një përkufizim që flet shumë për ndikimin e tij në fushë, shkruan Express, transmeton Periskopi.

Sulmuesi kosovar po kalon një periudhë të jashtëzakonshme, duke realizuar gola vendimtarë dhe duke e mbajtur mbi supe peshën e repartit ofensiv të Mallorcës. Me forcën fizike, inteligjencën taktike dhe instinktin e lindur për gol, Muriqi është shndërruar në një makth për mbrojtjet kundërshtare.

Ai i ka realizuar 14 gola në këtë sezon në kampionatin spanjoll dhe është golashënuesi i dytë momental në këtë ligë, vetëm prapa Kylian Mbappe, i cili i ka 19 gola.

Gjithashtu, prizrenasi ka arritur në kuotën e 48 golave, vetëm 6 larg rekordit historik të klubit, të regjistruar nga legjendari Samuel Eto’o, i cili i kishte shënuar 54 gola me ekipin ishullor.

Jo rastësisht, ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios është njëri nga lojtarët më të dashur për tifozët e klubit aktual.

Golat e tij shpesh kanë sjellë pikë të arta dhe e kanë mbajtur Mallorcën konkurruese ndaj skuadrave shumë më të mëdha në letër.

Përveç realizimit, Muriqi kontribuon edhe në lojën kolektive, duke hapur hapësira dhe duke luftuar në çdo duel deri në fund.

Forma aktuale e sulmuesit kosovar është rezultat i punës së palodhur, përkushtimit dhe besimit që klubi ia ka dhënë atij.

Ai jo vetëm që po i justifikon pritshmëritë, por po i tejkalon ato, duke u afirmuar si një nga sulmuesit më efektivë të kampionatit spanjoll.

Me paraqitjet e tij, Vedat Muriqi po dëshmon se është një lider i vërtetë në fushë dhe një ambasador i shkëlqyer i futbollit kosovar në arenën evropiane.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, sezoni aktual mund të jetë një nga më të mirët në karrierën e tij

Shpërndaje në: