Armë “made in Albania” brenda vitit 2026
Brenda vitit 2026, Shqipëria do të nisë prodhimin e armëve “Made in Albania”.
Qeveria shqiptare ka nisur prezantimin e projektligjit në komisionet parlamentare, ku ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri njoftimin zyrtar.
Aktualisht janë nënshkruar gjashtë kontrata për krijimin e kompanive të përbashkëta shtet–privat, përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe gjashtë operatorëve privatë. Këto kontrata parashikojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidron, si edhe mjeteve për emergjencat civile, raporton TVKlan, transmeton Periskopi.
Ministri i Mbrojtjes bëri me dije gjithashtu se negociatat për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit janë në fazën përfundimtare dhe po zhvillohen në bashkëpunim me gjigantin italian “Fincantieri”.
Sipas qeverisë, synohet sigurimi i një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet e prodhimit ushtarak, në mënyrë që Shqipëria të jetë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s dhe politikat kombëtare, duke respektuar preferencat dhe bashkëpunimin me vendet aleate./Periskopi



