Numëruesit e QNR-së ankohen se po punojnë pa asnjë ditë pushim: “Bukën e hamë në tavolinat e numërimit”
Prej dy javësh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po zhvillohet pandërprerë procesi i rinumërimit të votave për deputetë, një hap i rëndësishëm për garantimin e transparencës dhe besueshmërisë së zgjedhjeve.
Megjithatë, puna intensive po shoqërohet me shqetësime serioze nga ana e stafit të angazhuar në numërim, të cilët ankohen se po punojnë pa asnjë ditë pushimi.
Periskopi ka biseduar me një nga numëruesit, i cili ka përshkruar kushtet e rënda të punës në QNR.
Sipas tij, puna po zhvillohet në mënyrë të pandërprerë, pa pushime të rregullta dhe me lodhje të theksuar fizike e mendore.
“Qe dy javë jemi duke numëruar vota pa asnjë ditë pushimi. Numërojmë vazhdimisht sa jemi këtu dhe kjo është jashtëzakonisht e lodhshme,” ka deklaruar ai.
Sipas numëruesit, përveç mungesës së pushimit, edhe kushtet fizike të punës janë të papërshtatshme. Ambienti, sipas tij, karakterizohet nga pluhuri, ndriçim i dobët dhe higjienë minimale, ndërsa ushqimi konsumohet në të njëjtat tavolina ku zhvillohet procesi i numërimit të votave.
Ligji i Punës në Kosovë garanton të drejtën e çdo punëtori për pushime të rregullta javore. Mungesa e pushimit për stafin e angazhuar në QNR përbën jo vetëm shkelje të të drejtave të punëtorëve, por edhe një precedent shqetësues për respektimin e standardeve ligjore në institucionet publike.
Përveç aspektit ligjor, lodhja e vazhdueshme e numëruesve mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në saktësinë e rinumërimit. Çdo gabim, sado i vogël, i shkaktuar nga mungesa e përqendrimit, rrezikon të deformojë rezultatet dhe të minojë besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Lodhja e vazhdueshme e numëruesve mund të ndikojë drejtpërdrejt në saktësinë e rinumërimit. Një gabim i vogël në shënimin e votave, i shkaktuar nga mungesa e përqendrimit, mund të deformojë rezultatet dhe të minojë besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Në QNR janë të angazhuar mbi 250 numërues për procesin e rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit./Periskopi/



