“Skifteri K1” u promovua me video të një kompanie kineze, dy firmat kosovare kanë veç një punëtor
Dyshimet se dy kompani nga Gjilani mashtruan me prodhimin e një droni kamikaz vazhdojnë të rriten. Videoja e publikuar nga kompanitë kosovare, ku thuhet se droni “Skifter K1” goditi cakun në mbi 1000 km largësi, është e një kompanie kineze, që e ka përdorur më parë për të promovuar fluturaken e saj.
Ekspertë të aviacionit ushtarak e shohin të pamundur prodhimin e dronëve nga dy kompani, që bashkë numërojnë tre veta, përfshirë pronarët
Një nga videot që pronari i “Future Minds Academy” ka përdorur për ta promovuar dronin “Skifteri K1” dyshohet se i përket një fluturakeje të prodhuar në Kinë.
Videoja që e ka postuar në Facebook Ridvan Aliu, pronar i “Future Minds”, është copëz e videos së prodhuesit “Hinaray”, që promovon dronin H70P dhe kompania kineze e ka publikuar tri ditë para tij.
Ekspertët ushtarakë nuk e besojnë si të mundur që kompanitë në Kosovë t’i kenë kapacitetet njerëzore e profesionale për të ndërtuar dronë në këtë moment.
E dy kompanitë që u bashkuan për të prodhuar dronin e pretenduar, në ATK kanë veç një punëtor të lajmëruar.
“Subjekti për të cilin keni kërkuar ‘ALIU VENTURES’ L.L.C. (numri identifikues 812241016) ka të raportuar vetëm një punëtor në muajin 12-2025 dhe është subjekt i ri i regjistruar. Ndërsa subjekti ‘MIGA SKYSHIELD MAR’ L.L.C. (numri identifikues 812334647) nuk ka të raportuar punëtorë në sistemin e ATK-së”, thuhet në përgjigjen e Administratës Tatimore të Kosovës.
Koloneli i Aviacionit i Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dilaver Goxhaj, ka thënë se nuk ka mundësi që kompanitë të cilat bashkë numërojnë tre veta, përfshirë pronarët, të prodhojnë fluturake pa pilot.
“Kurrën e kurrës. Duhet një kooperim mes uzinave të ndryshme të prodhosh një avion të vogël, siç është një dron, sepse është një avion pa pilot. Kush do të shkrijë metalet? Cila uzinë do të prodhojë elementet elektrike, cipat e saj e të gjitha dhe janë shumë gjëra që duhet të jenë uzina të veçanta. Si mund të prodhojë kjo kompani vetëm duke mos pasur të gjitha llojet e uzinave, pra është e pamundur. Ky si duket i merr diku në ndonjë shtet tjetër dhe hiqet sikur i ka të vetat”, ka thënë Goxhaj.
E inxhinieri ushtarak, po ashtu kolonel i pensionuar, Memush Habilaj, është shprehur se në ndërtimin e dronëve ekuilibrohen forca e ngritjes, graviteti, shtytja e rezistenca e ajrit.
Profesori Habilaj ka thënë se besimi i një pjese të publikut te videoja është shtytur nga dëshira që Kosova të jetë mirë e armatosur.
“Lidhur me komentet për dronët në Kosovë mendoj se janë nga persona amatorë që nuk e dinë se në luftën për çlirimin e Kosovës dronët nuk ekzistonin si dhe sot dronët nuk kanë ndonjë rol përcaktues në luftë, përveçse një rol mjaft dytësor, ata mbeten një mjet i thjeshtë jovendimtar, por praktik”, ka thënë Habilaj.
Kosova nuk ka infrastrukturë ligjore që e rregullon as testimin e as prodhimin e dronëve ushtarakë.
Për ngritjen e dronëve civilë duhet leja e KFOR-it që merret përmes Autoritetit të Aviacionit Civil.
Habilaj ka theksuar se dronët e prodhuar në mungesë legjislacioni dhe pa licencë janë të kundërligjshëm. Sipas tij, personat e apasionuar edhe mund të prodhojnë dronë në mënyrë artizanale, mirëpo nuk mund të përdoren për qëllime policore ose luftarake.
Ridvan Avdiu nga “Future Minds” dhe Muhamet Ajrullahu nga “Miga Skyshield Academy” nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS që nga e mërkura, me arsyetimin se nuk e kanë obligim.
Ditë më parë këto kompani publikuan një video, ku thuhej se droni “Skifter K1” pas shtatë orësh fluturim goditi saktë cakun në largësi mbi 1000 km./Periskopi



