Me standardin e Drenasit – A do të nis Prokuroria hetimet në Podujevë për ‘vjedhje’ votash ?
Prokuroria e Shtetit ditën e djeshme ka nisur hetimet për manipulim të votave në Komunën e Drenasit, raporton Periskopi.
Në rinumërim në këtë komunë një kandidat i Partisë Demokratike të Kosoëvs (Fadil Demaku) ka dal me minus 200 vota dhe kjo e ka bindur Prokurorinë që të autorizoj Policinë e Kosovës për hetimin e votave në këtë komunë.
Por, përderisa janë rinumëruar 18 nga 110 vendvotimet apo 16,36% në Komunën e Podujevës, bazuar në këtë rezultat, del se ka kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje me mbi 200 vota që i janë minusuar.
Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes në detyrë, kandidat i VV për deputet, del se i janë minusuar 286 vota.
Pas tij, vjen kandidati tjetër, Vendenis Lahu, me 257 vota minus dhe e treta është kandidatja, Adelina Stublla, me minuss 157 vota.
Gjatë ditës së djeshme Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka vërejtur mospërputhjet lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të procesit të rinumërimit në komunën e Drenasit.
“Marrë parasysh këtë rrethanë prokurori i shtetit sot ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës me qëllim grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimin e provave lidhur me këtë çështje.Po ashtu, prokurori i shtetit është duke përcjellë nga afër procesin e rinumërimit edhe në komunat tjera që bien në kompetencë të kësaj prokurorie, ndërsa pas përfundimit të këtij procesi do të analizohen të gjitha rrethanat dhe shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve tjera për grumbullimin e informatave”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e djeshëm.
Aktualisht janë tri komuna të Kosovës që po hetohen nga Prokuroria e Shtetit për dallavere më votat siç janë Prizreni, Malisheva dhe Drenasi. / Periskopi/




