Vetura godet një të mitur në Mitrovicë, Policia dhe spitali japin detaje
Një fëmijë është goditur nga një veturë mbrëmjen e sotme në Zhabar të Mitrovicës, raporton Periskopi.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti tha se i lënduari është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet lidhur me aksidentin.
“Rreth orës 18:00, në rrugën nacionale Mitrovicë- Zubin Potok, në segmentin rrugor në fshatin Zhabar, ka ndodhur një aksident trafiku ku një veturë ka goditur një këmbësor të mitur. I lënduari është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet lidhur me aksidentin”, ka deklaruar Zahiti.
Në anën tjetër, detaje ka dhënë Shpend Fazliu, zëdhënës i Spitalit të Mitrovicës.
“Ju konfirmojmë se në ora 18:07, si pasojë e një aksidenti, në Shërbimin Emergjent ndihma mjekësore emergjente i është dhënë një fëmije të lindur në vitin 2018. Pas ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë Tomografinë e Kompjuterizuar (CT e kokës), është referuar për në QKUK, tek specialistët e neurokirurgjisë. Për momentin është jashtë rrezikut për jetë, por nën monitorim deri në përcjellje për QKUK,” deklaroi Fazliu./Periskopi/



