Kancelari gjerman: Anëtarësimi i Ukrainës në BE në vitin 2027 është jorealist

Kancelari gjerman: Anëtarësimi i Ukrainës në BE në vitin 2027 është jorealist

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka thënë se anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian më 1 janar 2027, nuk është i mundur.

Merz i bëri këto komente të mërkurën, pas bisedimeve me partnerët e tij të koalicionit në Berlin.

“Anëtarësimi më 1 janar 2027 është jashtë diskutimit. Nuk është i mundur”, shtoi ai.

Merz vuri në dukje se çdo vend që kërkon të anëtarësohet në BE duhet së pari të përmbushë kriteret e Kopenhagës, një proces që zakonisht zgjat disa vjet.

Ndërkohë, ai theksoi se Ukrainës i duhet një perspektivë e besueshme që do të hapte rrugën për anëtarësim në planin afatgjatë.

“Ne mund ta sjellim ngadalë Ukrainën më afër Bashkimit Evropian gjatë rrugës. Kjo është gjithmonë e mundur, por një anëtarësim kaq i shpejtë thjesht nuk është i realizueshëm”, shtoi ai.

Duke komentuar përfundimin e luftës me Rusinë, Merz tha se aktualisht ka përparësi të tjera.

“Ne jemi në kontakt të ngushtë me delegacionet e SHBA-së dhe Ukrainës. Ne gjithashtu kemi hartuar dokumentet së bashku, dhe është mirë që tani po zhvillohen bisedime të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë. Ne po i shoqërojmë këto bisedime me mbështetje të madhe dhe shpresën e madhe se ato do të arrijnë në një përfundim sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi ndër tjera kancelari gjerman, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Dpa vuri në dukje se komentet e Merz erdhën pasi kolegu i tij i partisë dhe Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, kishin thënë se Ukraina meriton një shans të drejtë për t’u bashkuar me BE-në.

Shpërndaje në: