Rinumërohen mbi 87% e vendvotimeve – ndryshime të theksuara në Pejë e Podujevë
Ditjona Statovcit nga PDK i kanë dalë 171 vota më pak, Ilir Murtezajt 28 dhe Rrahman Ramës 8.
Në AAK, Baki Fetës i kanë dalë 22 vota më pak, Arbnor Fazliut 16 dhe Lahi Brahimajt 10.
Deri në ditën e fundit të këtij muaji – më 31 janar- pritet që të përfundojë i gjithë procesi i rinumërimit të votave të 28 dhjetorit.
“Synojmë që deri në ditën e fundit të këtij muaji të përfundohet rinumërimi”- kishte thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi për KALLXO.com.
Përmbyllja e procesit të rinumërimit të votave i hap rrugë certifikimit të zgjedhjeve dhe rrjedhimisht edhe formimit të institucioneve të reja. Kjo ndikon më pas edhe në zënien në kohë të afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe votimin e buxhetit për vitin 2026.
Pas përfundimit të rinumërimit do të fillojnë afatet për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe në Gjykatën Supreme. Afate për ankesa do të ketë edhe pas përfundimit të këtyre procedurave dhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ndërsa vazhdon përballja me telashet që lidhen me manipulimin e votave, po afrohet edhe afati për (ri)zgjedhjen e presidentit. Vjosa Osmanit i përfundon mandati më 04.04.2026 dhe, sipas Kushtetutës së Kosovës, pasardhësi duhet të zgjidhet së paku 30 ditë para përfundimit të mandatit të pararendësit. Akti më i lartë juridik i shtetit e mundëson edhe rizgjedhjen e presidentit për një mandat të dytë.
Pas përfundimit të procesit të numërimit u shtua nevoja për një rinumërim të pjessshëm, e pastaj të plotë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 19.01.2026, vendosi për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komuna.
Mëngjesin e 28 janarit, ka nisur një aksion i gjerë i Prokurorisë së Gjakovës në Malishevë rreth dyshimeve për falsifikim të rezultatit zgjedhor.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim të grumbullimit të informatave dhe evidentimit të shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës në procesin e numërimit të votave në Drenas.
Prokuroria ka bërë të ditur se duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura me datë 28.12.2025, ka vërejtur mospërputhje lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të procesit të rinumërimit në Komunën e Drenasit.
Për shkak të manipulimit me vota në Prizren, janë lëshuar 109 vendime për ndalime 48 orëshe nga Prokuroria Themelore e Prizrenit. Ndaj 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Vendimin për rinumërim, fillimisht KQZ e mori pasi janë shikuar videot nga kamerat në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë ngritur dyshime se votat e kandidatëve për deputetë nuk janë shënuar në mënyrë të saktë në platformën zyrtare të KQZ-së.
Një problematikë këtu ka qenë se KQZ ka parë vetëm pamjet nga kamerat ku shihet fletëvotimi, por jo edhe monitorin e komisionerit i cili i ka vendosur votat në sistem.
Rrjedhimisht, ndryshimet janë vërejtur pasi që përmes pamjeve të fletëvotimeve KQZ ka numëruar me dorë votat e një vendvotimi dhe pas mbledhjes së tyre, janë krahasuar me të dhënat në sistem për atë vendvotim – e tek pastaj janë vërejtur dallimet.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, sipas KQZ-së, ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i atyre që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit ishte 77,086.
Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 qendra të votimit, ndërsa ky proces jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Sipas të dhënave të KQZ-së, në 29 përfaqësi diplomatike patën të drejtë vote 19,187 votues./Periskopi/



