Gashi i PDK-së: Në secilin subjekt politik ka pasur përpjekje për devijimin e vullnetit të qytetarëve
Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka thënë se procesi zgjedhor deri në fund është zhvilluar si duhet, por sipas tij, kanë dalë njerëz me vullnet të keq për ta cenuar vullnetin e qytetarëve.
“I gjithë procesi është i lënduar, sepse brenda secilit subjekt politik ka pasur përpjekje për ta devijuar vullnetin e qytetarëve sa i përket votave për kandidatët e subjekteve politike”, ka thënë Gashi.
Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ ka theksuar se nuk duhet të hidhet faji te vëzhguesit nga OJQ-të. Sipas tij, data e zgjedhjeve ka qenë problematike për shkak të periudhës së fundvitit dhe festave.
“Nuk do të doja ta hidhja fajin as te vëzhguesit, e as më pak te OJQ-të, por data e zgjedhjeve ka qenë e tillë që parashikohej mungesë e mbulueshmërisë, pasi ishin festat e fundvitit. Vëzhgueshmëria ka qenë e mangët edhe nga vetë subjektet politike dhe ndoshta edhe kjo ka bërë që persona të caktuar të jenë më komodë në administrimin e zgjedhjeve. Njëra nga arsyet pse zgjedhjet nuk janë administruar si duhet ka qenë edhe koha kur janë mbajtur”, ka thënë Gashi./Periskopi/



