Të akuzuarit Faruk Mujka “Ibër Lepenci” ia vazhdon kontratën si Kryeshef Ekzekutiv edhe për tri vite të tjera

Të akuzuarit Faruk Mujka “Ibër Lepenci” ia vazhdon kontratën si Kryeshef Ekzekutiv edhe për tri vite të tjera

Bordi i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenci SH.A” ka marrë vendim për vazhdimin e kontratës për Kryeshefin Ekzekutiv, Faruk Mujka.

Kontrata e Mujkës është vazhduar për një periudhë prej 3 vitesh, në mundësi vazhdimi.

Ndryshe në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës për korrupsion.

Por siç duket aktakuza e ngritur dhe hetimet që po bëhen ndaj tij nuk e ka ndaluar Ibër Lepencin që ta shpërblejë këtë të fundit edhe me një kontratë tri vjecare.

Prokuroria Speciale e Kosovës, pati ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mujka akuzohet në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe Hysen Muzliukajt si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike.

Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ndërkohë, i pandehuri Mujka akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj dy të pandehurve.

Mujka e Muzliukaj ishin arrestuar më 2023 pas një operacioni anti-korrupsion. Atë kohë ishin kryer edhe bastisje në dy lokacione pronë e dy të dyshuarve tashmë, dhe në njërin lokacion ishin gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro, raporton Lajmi.net, përcjell Periskopi.

Shpërndaje në: