Dallaveret me toka: Apeli zëvendëson paraburgimin me arrest shtëpiak për të gjithë të pandehurit
Gjykata e Apelit e Kosovës ka ndryshuar masën e sigurisë për të pandehurit Naim Krasniqi, Mirlinda Bllata-Dibrani, Shaban Terbunja, Goran Llazic, Fadil Ismajli, Jovica Mitroviç dhe Bedri Dibrani në lidhje me arritjen e ujdisë gjyqësore në një procedurë kompensimi të shpronësimit, kishin tejkaluar afatin për paraqitjen e propozimit për më shumë se 8 vite ndonëse ishin kompensuar për shpronësim të parcelave të tyre.
Masa e paraburgimit, e cila ishte caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është ndërprerë dhe zëvendësuar me arrest shtëpiak që do të zgjasë deri më 18 mars 2026.
Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit të datës 2 shkurt që ka siguruar Paparaci, të pandehurit duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe nuk mund të largohen pa lejen e gjykatës, përveç rasteve emergjente.
Ata do të jenë të mbikëqyrur nga Policia e Kosovës dhe të detyruar të respektojnë çdo udhëzim për lëvizje.
Ky vendim erdhi pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësve të të pandehurve, të cilët argumentuan se masa e paraburgimit ishte e tepërt dhe nuk kishte rrezik konkret për arratisje, ndikim në dëshmitarë ose përsëritje të veprës penale.
Hetimi i Prokurorisë kishte zbuluar një skemë të ndërtuar për më shumë se dy vite, nga 20 shkurt 2023 deri më 18 dhjetor 2025.
Sipas akteve, Thesari i Shtetit kishte “derdhur” 220 mijë euro në llogarinë e avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, e cila më pas transferoi 210 mijë euro te Fadil Ismajli.
Prokuroria pretendon se ky mekanizëm ishte i qëllimshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, duke shfrytëzuar mungesën e mbikëqyrjes dhe afatet ligjore të skaduara për ankesa të pronarëve.
Gjykata e Apelit konstatoi se ekzistonte dyshimi i bazuar për veprimet e tyre të dyshuara për përfitim të kundërligjshëm financiar, përmes një mekanizmi korrupsioni që përfshinte procedurat e shpronësimeve dhe përfitimin e mjeteve nga Thesari i Shtetit.
Megjithatë, për shkak të mungesës së rrezikut të menjëhershëm për shkatërrim provash ose ndikim në hetime, kolegji vendosi që masa më e butë e arrestit shtëpiak ishte e mjaftueshme për të garantuar vazhdimin e procesit.
Hetimet për këtë çështje janë zhvilluar për periudhën nga 20 shkurt 2023 deri më 18 dhjetor 2025, dhe përfshijnë të gjithë të pandehurit si bashkëkryerës në veprime me qëllim përfitimin e kundërligjshëm personal.
Hetimet kanë përfshirë masa të veçanta hetimore, monitorim të fshehtë audio dhe video, kontrolle në vendbanime dhe verifikime të detajuara financiare, të cilat kanë dokumentuar një skemë të koordinuar për përfitim të kundërligjshëm personal.
Ish-ministri Fadil Ismajli e gjyqtari i degës së Graçanicës ranë në pranga më 18.12.2025, bashkë me pesë të dyshuar të tjerë në lidhje me arritjen e ujdisë gjyqësore në një procedurë kompensimi të shpronësimit, kishin tejkaluar afatin për paraqitjen e propozimit për më shumë se 8 vite ndonëse ishin kompensuar për shpronësim të parcelave të tyre.
Skema e 210 mijë eurove që ju transferuan ish-ministrit, Fadil Ismajli nga avokatja e tij sipas prokurorisë u nda mes të dyshuarve të tjerë varësisht prej kontributit të tyre në rast./Periskopi/



