Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Glauk Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Glauk Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka prishur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ishte liruar nga akuzua për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend. Apeli e ktheu rastin në rigjykim.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Periskopi.

Ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka parashtruar prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për pjesën liruese dhe atë për shkak të
vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarin ta shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe t’i shqiptojë dënim në proporcion me peshën e veprës penale ose aktgjykimi të anulohet dhe rasti të kthehet në rigjykim.

Përgjigje në ankesën e prokurorit ka ushtruar mbrojtësja e të akuzuarit Konjufca, avokatja Arbnora Zeqiri, me propozim që ankesa e prokurorit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Kurse, prokurori i Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e prokurorit, aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet
dhe i akuzuari ta shpallet fajtor ose rasti të kthehet në rigjykim.

“Me aprovimin e ankesës së Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.464/17, datë 26.02.2024, përkitazi me veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 par.1 të KPRK-së, anulohet dhe lënda i kthehet të njëjtës gjykatë për rigjykim dhe vendim”, thuhet në vendimin e Apelit të marrë më 27 shkurt 2025.

Sipas kolegjit të Apelit, ankesa e prokurorit është e bazuar dhe vlerëson se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë edhe në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e që lidhen edhe me vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të Ligjit Penal, shkelje këto të karakterit absolut që detyrimisht kushtëzojnë anulimin e këtij aktgjykimi.

Po ashtu, Apeli vlerëson se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale që lidhen edhe me bazën ankimore- vërtetim i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike, sepse sipas shkresave të lëndës, rezulton se, në rastin konkret gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar drejt dhe në mënyrë të plotë provat e administruara.

“Gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar nuk ka paraqitur drejtë se cilave prova ia fal besimin apo të cilave nuk ia fal besimin e po ashtu se cilat prova të administruara i konsideron të vërtetuara e cilat të pavërtetuara, nuk ka bërë në mënyrë të drejtë krahasimin e këtyre provave njëra me tjetrën dhe në lidhmëri njëra me tjetrën dhe se arsyetimi i dhënë në këtë drejtim nga gjykata e shkallës së parë është jo i drejtë dhe jo i plotë”, thuhet në vendim.

Sipas Apelit, Themelorja në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar numëron provat e administruara, por nuk i argumenton bindshëm se pse
e ka liruar të akuzuarin nga vepra penale e cila i vihet në barrë me anë të aktit akuzues.

“Po sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate, përfundimin e gjykatës së shkallës së parë “se Prokuroria, përmes dëshmitarëve të propozuar, nuk e ka provuar gjendjen faktike të përshkruar si në dispozitivin I të këtij aktgjykimi, duke mos arritur të vërtetojë lidhjen kauzale dhe veprimet e pretenduara inkriminuese të ndërmarra nga i akuzuari. Mungesa e vërtetimit për sekuestrimin po ashtu, nuk vërteton vlerën provuese dhe arsyetimin dhe pretendimet e prokurorisë se provat e larta cekura janë sekuestruar në mënyrën dhe aspektin provues që do të provonin se i akuzuari ka lidhje kauzale dhe përgjegjësi penale për gjendjen faktike, siç është në akuzë. Mungesa e vërtetimit për sekuestrim po ashtu konkludon edhe në pamundësinë e provave të administruara dhe shkresave të lëndës për të argumentuar se çfarë është sekuestruar në lidhje me përgjegjësinë penale dhe veprimet inkriminuese të akuzuarit”, thuhet në vendim.

Sipas Apelit, ky përfundim i Themelores është jo i drejtë dhe jo i plotë ngase në ketë çështje penale përpos dëshmive të dëshmitarëve kemi edhe provat tjera materiale e po ashtu kemi edhe vetë pohimin e të akuzuarit në deklarimin e tijë në Prokurori ku ndër të tjera ka deklaruar
se atë ditë e ka përdorur gazin lotsjellës, por ka deklaruar se gazin lotsjellës nuk e konsideron që është armë.

Apeli thekson se në ketë çështje penale përpos deklarimit të akuzuarit në Prokurori, kemi edhe deklaratat e dëshmitarëve, provat tjera materiale e sidomos procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 10 gusht 2016, ku ndër tjera konstatohet se “Gjatë zhvillimi të diskutimeve, kryetari i GP të LVV-së, z. Glauk Konjufca hodhi gaz lotsjellës në sallën C-301. Për shkak të pamundësisë për të vazhduar, kryetari e ndërpreu mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”.

“Nga të gjitha të lartcekurat, gjykata e shkallës së parë ka dështuar që ta vërtetoj në mënyrë të drejtë dhe posaçërisht të plotë gjendjen faktike e më vërtetimin jo të drejtë dhe jo të plotë të gjendjes faktike në rastin konkret është shkelur edhe ligji penal në favor të të akuzuarit. Të gjitha këto shkelje sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate janë të karakterit absolut, që detyrimisht kushtëzojnë anulimin e këtij aktgjykimi”, thuhet në vendim.

Në rigjykim, Themelorja duhet edhe njëherë t’i administrojë të gjitha provat që janë të propozuara nga prokurori në aktakuzë dhe ato të cilat i propozon mbrojtja e të akuzuarit dhe i akuzuari në shqyrtimin gjyqësor.

Apeli thekson se provat duhet të administrohen një ng një dhe në lidhmëri njëra me tjetrën, të vlerësohen në mënyrë meritore dhe pas kësaj, të nxjerret një vendim i ligjshëm dhe i drejtë.

Andaj, Gjykata e Apelit vlerëson se aktgjykimi i ankimuar juridikisht është i paqëndrueshëm dhe si i tillë është anuluar dhe kthyer në rigjykim.

“Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet të veproj në pajtim me vërejtjet e lartcekura ti eliminoj të gjitha shkeljet e cekura dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta të ligjshme e të bazuara me provat e administruara e mandej të marrë vendim përkatës”, thuhet në vendim.

Sa i përket pjesës refuzuese përkitazi me veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, pasi që prokurori i Prokurorisë Themelore nuk e ka ankimuar në ketë drejtim, aktgjykimi i ankimuar mbetet i pandryshuar.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar avokaten e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, e cila tha se ende nuk e kanë pranuar vendimin.

“Përderisa nuk e kam pranuar vendimin, nuk mund të jap asnjë koment”, tha Zeqiri.

Ndryshe, në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Edita Çanta tha se Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” përcaktuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet

Shpërndaje në: