Nisin hetimet për manipulim të votave edhe në Pejë

Nisin hetimet për manipulim të votave edhe në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.

Sipas njoftimit, autorizimi i parë për fillimin e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.

Ndërkohë, veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.

Nga dita e sotme ka nisur procesi i intervistimit të komisionarëve, lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Ky proces, sipas Prokurorisë, ka për qëllim sqarimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.

Prokuroria Themelore në Pejë bën të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Po ashtu, është bërë e ditur se Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik për të gjitha zhvillimet e mëtejshme që lidhen me këtë proces hetimor./Periskopi

Njoftimi i plotë:

Shpërndaje në: