Vendosi emrin e ekipit në EncroChat, dënohet me 9 vite burg ish-futbollisti anglez për trafik droge
Një ish-futbollist anglez është dënuar me 9 vite burg pasi u zbulua si pjesë kyçe e një rrjeti të madh të trafikut të drogës, falë një gabimi fatal, përdori emrin e ish-klubit të tij si fjalëkalim në telefonin e koduar.
Francis Ventre, 63 vjeç, ish-lojtar i Barrow, u arrestua pasi autoritetet britanike arritën të thyejnë sistemin e komunikimit të koduar EncroChat, i përdorur gjerësisht nga rrjetet kriminale. Ai vepronte me pseudonimin “Dillforest”, duke ofruar kokainë dhe ketaminë në rrugët e Liverpulit.
Hetimet zbuluan se Ventre kishte përdorur si fjalëkalim emrin “barrow”, në referencë të klubit ku kishte luajtur dikur, duke e bërë më të lehtë identifikimin e tij. Për më tepër, ai kishte ndarë në biseda të dhëna personale si datëlindja, kodi postar dhe informacione për familjarët.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit, Ventre kishte furnizuar tregun me 1 kilogram kokainë dhe 63 kilogramë ketaminë, me një vlerë totale rreth 500 mijë paund.
Ai u arrestua në nëntor 2025 dhe pranoi fajësinë për trafik droge dhe pastrim parash në Gjykatën e Liverpulit. Autoritetet thanë se dënimi i tij është një goditje e fortë ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës./Periskopi/



