Rizvanolli me lajme jo të mira: Këto dy vite do të jenë sfiduese në energji elektrike, blloqet e KEK duhet të ndalen për disa muaj

Rizvanolli me lajme jo të mira: Këto dy vite do të jenë sfiduese në energji elektrike, blloqet e KEK duhet të ndalen për disa muaj

Deputetja e zgjedhur e Vetëvendosjes, Artane Rizvanolli, pak ditë pas kërkesës së KESCO-s për shtrenjtim të rrymës prej 21% të dorëzuar në ZRrE, ka thënë se Kosova do të përballë me periudhë sfiduese në sektorin e energjisë gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, deklaroi se kjo ndodh për shkak të ndaljes së blloqeve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), si rezultat i investimeve në modernizim dhe rehabilitim të termocentraleve.

Rizvanolli ka theksuar se ende nuk ka një vendim për rritjen e tarifave, por ka shtuar se disa zhvillime objektive në sektorin e energjisë mund të kenë ndikim në këtë drejtim.

Gjatë ceremonisë së përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, ajo paralajmëroi se edhe këtë vit pritet import i lartë i energjisë elektrike.

“Së pari duhet theksuar se lajmi i publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatorëve të tjerë, ndërsa ende nuk ka një vendim. Megjithatë, duhet të merren parasysh disa zhvillime objektive në sektorin e energjisë, të cilat mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Në KEK vitin e kaluar kanë nisur investime në modernizim dhe rehabilitim që nuk janë bërë për më shumë se 40 vjet. Kjo nënkupton se gjatë vitit të kaluar, këtij viti dhe vitit të ardhshëm do të përballemi me një periudhë sfiduese, pasi blloqet duhet të ndalen për disa muaj për realizimin e investimeve. Kjo është një sakrificë e domosdoshme për ne dhe për gjeneratat e ardhshme”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ajo ka theksuar se këto janë investimet më të mëdha dhe më serioze që po bëhen në KEK pas katër dekadash.

“Sipas të dhënave zyrtare, deri në vitin 2020 në KEK janë investuar rreth 1 miliard euro, por pa rritje të kapacitetit, pa rritje të efiçiencës dhe pa zgjatje të jetëgjatësisë së termocentraleve. Investimet aktuale synojnë rritjen e jetëgjatësisë së termocentraleve për rreth 20 vjet, uljen e ndotjes, rritjen e kapacitetit dhe përmirësimin e sigurisë”, ka shtuar ajo.

Rizvanolli ka bërë të ditur se investimet në KEK kanë qenë edhe arsyeja kryesore pse gjatë vitit 2025 është rritur importi i energjisë elektrike, duke theksuar se importi pritet të mbetet i lartë edhe gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, për shkak të këtyre faktorëve objektivë./Periskopi/

Shpërndaje në: