Sllovenia e kap vëllain e Kobrës pas 10 vjetësh në arrati, lirohet pas pak ditësh
I kërkuari për trafikim të drogës dhe të migrantëve, kosovari me shtetësi edhe të Sllovenisë, Shqipron Hoxhaj, është kapur në janar të këtij viti nga policia kroate.
I njëjti ishte ekstraduar në Slloveni, meqë për të shteti slloven kishte lëshuar fletarrest të brendshëm, fletarrest ndërkombëtar dhe urdhër evropian për arrestim dhe dorëzim.
Por, Shqipron Hoxhaj, të cilin policia kroate ua dorëzoi kolegëve sllovenë të enjten e kaluar, e këta më pas e dërguan në paraburgim në qytetin Koper të Sllovenisë, është tashmë i lirë pas vetëm disa ditësh.
Lajmin për lirimin e tij e ka konfirmuar për mediat sllovene avokatja Viktorija Badovinac Shvarc, e cila mbron 36-vjeçarin Hoxhaj. “I pandehuri u lirua pasi gjykata e apelit mori parasysh në mënyrë korrekte dhe profesionale faktet tona dhe zbatoi me përpikëri ligjin”, tha avokatja.
Policia sllovene kishte raportuar të premten e kaluar për arrestimin e 36-vjeçarit. Ata sqaruan se policia kroate ia kishte dorëzuar Sllovenisë një shtetas të Kosovës dhe të Sllovenisë, i cili kërkohej ndërkombëtarisht prej kohësh dhe ishte në arrati që nga viti 2016.
Policia kroate e kishte arrestuar Hoxhajn më 10 janar. Për të, siç ishte raportuar, Gjykata e Qarkut në Koper kishte lëshuar fletarrest të brendshëm, fletarrest ndërkombëtar dhe urdhër evropian për arrestim dhe dorëzim.
Ai ishte zhdukur gjatë aksionit përfundimtar në rastin “Kobra”, kur në tetor 2016 hetuesit sllovenë arrestuan disa të dyshuar të përfshirë në trafik droge dhe në veprimtari me migrantë.
Pas dorëzimit nga Kroacia, 36-vjeçari Hoxhaj qëndroi vetëm disa ditë në paraburgimin e Koperit.
Si ndodhi arratisja e Shqipron Hoxhajt?
Shqipron Hoxhaj u arratis në tetor të vitit 2016, kur hetimet penale në rastin “Kobra” në Slloveni po hynin në fazën përfundimtare. Pikërisht atëherë ai hipi në një BMW dhe shtypi pedalin e gazit, por nuk shkoi larg me veturë.
Gjatë arratisjes dramatike, ai u detyrua ta linte veturën në parkingun para ish-ndërtesës së Policisë së Koperit, pranë nëntunelit, i cili ishte i hapur në drejtim të kundërt, dhe më pas iku me vrap. Sipas mediave sllovene, dëshmitarë okularë e panë duke vrapuar nëpër nëntunel drejt rrugës me katër korsi në anën tjetër, ndërsa pas tij ishin vënë policë me maska në një furgon policie, por aty gjurmët e tij humbën plotësisht, raporton Klankosova.tv.
Megjithatë, gjykata në Koper më vonë dënoi bashkëpunëtorët e tij me dënime të ndryshme për trafik droge dhe ndihmë në kalime të paligjshme të kufirit.
Dënimin më të rëndë, nëntë vjet e dhjetë muaj burg, e mori dhe e kreu vëllai i tij, Valoni, i cili akuzohej si udhëheqës i bandës.
Policia sllovene në atë kohë i zbuloi anëtarët e bandës në një operacion të madh. Ata u akuzuan më pas për rreth 400 krime të kryera në Slloveni, Bullgari, Bosnjë, Serbi, Maqedoni dhe Kosovë.
Në vitin 2019, shtatë anëtarë të grupit kriminal të lartpërmendur u dënuan. Ndër të akuzuarit për trafik droge ishte edhe i treti nga vëllezërit Hoxaj, Dibrani. Sipas raportimeve të mediave sllovene, ky i fundit u dënua më pas jo për trafik droge, por vetëm për transportimin e emigrantëve të paligjshëm dhe u dënua me një vit burg../Periskopi/



