“M’ka rreh ish-burri me stupc mrena objektit të QPS, shteti nuk po më mbron…”
Rasti i 27-vjeçares nga Podujeva vazhdon të zbulojë një zinxhir dhune dhe neglizhence institucionale.
E.I., e cila thotë se për vite me radhë ka përjetuar dhunë fizike nga ish-bashkëshorti Sh.H., rrëfen se ai ka ushtruar dhunë edhe brenda Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Podujevë, ku e sulmoi me stupc gjatë dorëzimit të vajzës. Edhe pse e kishte raportuar dhunën disa herë, sipas saj ai nuk ka vuajtur asnjë ditë burg, raporton Kiks Kosova.
Pas divorcit, gjykata i kishte caktuar E.I.-së dy fundjava në muaj për të takuar vajzën, por ish-bashkëshorti, sipas saj dhe avokatit të saj, Leutrim Himaj, nuk e ka respektuar vendimin për mbi katër vite.
Në vend të kësaj, ai i ka ofruar vetëm 2 orë takim në muaj, marrëveshje që avokati e quan të kundërligjshme.
Sipas Himajt, QPS nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta zbatuar vendimin e gjykatës, ndërsa kallëzimi penal ndaj ish-bashkëshortit ka mbetur pa veprim tash një vit.
Vetë Sh.H., në deklarimin për KIKS Kosovën, me shumë gjakftohtësi e ka pranuar dhunën, duke u arsyetuar se “ajo është provokuese”.
Ndërkohë, drejtoresha e QPS-së, Makfirete Zeka, konfirmon incidentin brenda objektit dhe thotë se po tentohet ndërmjetësimi i një marrëveshjeje të re, pasi tashmë as ato 2 orë takim nuk po lejohen.
Sipas avokatit Anton Nrecaj, mosrespektimi i vendimit të gjykatës për takimin e fëmijës me njërin prind mund të dënohet deri në 6 muaj burg ose me gjobë./Periskopi



