Ish‑këshilltari i Trumpit dhe Epstein planifikuan “ta rrëzonin” Papën Françeskun
Dokumentet e fundit të publikuara nga Ministria amerikane e Drejtësisë zbulojnë se Steve Bannon, ish‑këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe pedofili i dënuar Jeffrey Epstein diskutuan strategji për të kundërshtuar dhe, siç shkruante Bannon, për ta “rrëzuar” Papën Françesku.
Shënimet e mesazheve, këmbënguljet dhe komunikimet e vitit 2019 tregojnë se Bannon, pasi u largua nga administrata Trump, ka komunikuar me Epstein për të nënvlerësuar dhe minuar qëndrimin e Papës Françeskut, shkruan CNN.
Bannon ishte një kritik i ashpër i Papës Françesku, të cilin e shihte si kundërshtar të ideve politike të orientuara rreth nacionalizmit dhe populizmit. Në një prej mesazheve drejtuar Epsteinit, Bannon shkruante se “do ta rrëzoj Françeskun”.
Ai e perceptonte Papën si pengesë për zgjerimin e vizionit të tij ideologjik dhe, sipas dokumenteve, shfrytëzoi për këtë edhe debatin rreth librit “In the Closet of the Vatican” të gazetarit francez, Frederic Martel, që nxori në pah çështje të brendshme të Kishës Katolike, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Ekspertë që komentuan për CNN vlerësojnë se Bannon kërkonte të instrumentalizonte fenë dhe figurën e Papës për qëllime politike, një qasje që sipas kritikëve përbën një përpjekje për të shfrytëzuar ndjenjat fetare për të forcuar agjendat e tij.
Dokumentet e publikuara janë pjesë e një dosjeje më të gjerë të Ministrisë së Drejtësisë mbi marrëdhëniet dhe komunikimet e Epsteinit me figura të ndryshme publike dhe politike, edhe pas dënimit të tij për krime seksuale./Periskopi/




