Çuni i LDK’së viktimizohet për Rezolutën: Situata u shfrytëzua për të na goditur politikisht
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni ka folur për mosvotimin e rezolutës së propozuar nga PDK në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku tha se kjo situatë është shfrytëzuar për ta goditur LDK-në politikisht.
Ai ka përsëritur se LDK ishte e gatshme ta përkrahte rezolutën nëse do të përfshihej edhe amendamenti i kërkuar nga LDK, përcjell Gazeta Metro, transmeton Periskopi.
“Ishte një rast i shkëlqyer që të gjitha partitë shqiptare të unifikoheshin rreth një teksti që nderon luftën tonë çlirimtare, por edhe garanton se asnjë krim i pazbuluar nuk do të mbetet peng i agjendave politike.Përpjekja për ta paraqitur kushtëzimin tonë parimor si “mosperkrahje” është një tendencë e pastër për goditje politike. Megjithatë, për LDK-në, drejtësia nuk mund të jetë selektive”, ka thënë Quni për Express.
Ai ka thënë se tejkalimi i pozicioneve të vjetra bëhet vetëm duke u ballafaquar me të vërtetën e plotë.
“Besojmë fuqishëm se tejkalimi i pozicioneve të vjetra arrihet vetëm duke u ballafaquar me të vërtetën e plotë. Ne jemi për një Kosovë ku drejtësia vepron mbi parimet e paanësisë dhe barazisë para ligjit për çdo qytetar”, ka potencuar deputeti i LDK-së.
Kuvendi të enjten me 90 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim është votuar një rezolutë e përgatitur nga një grup ekspertësh dhe e mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë gjykim të drejtë për të akuzuarit. Në këtë votim nuk morrën pjesë fare deputetët e LDK-së dhe ata të Listës Serbe.
Qëndrimi i LDK’së u konsiderua në publik si një veprim cinik i kalkuluar politikisht për t’ju shmangur kritikave nga një pjesë e elektoratit të tyre. U konsiderua edhe i pavend pasi rezoluta ka synim që të adresojë ato që konsiderohen shkelje të të drejtave në proces gjyqësor. LDK u kritikua edhe për hipokrizi pasi kishin raste të shumta që të adresonin çështjen e rasteve të pasluftës dhe nuk e bënë, as në procesin gjyqësor në Hagë që shqyrton edhe rastet e tilla. Një kritikë e vazhdueshme kjo për këtë parti./Periskopi/



