Aksion i policisë në veri: Konfiskohen armë, granata dhe emblema serbe

Aksion i policisë në veri: Konfiskohen armë, granata dhe emblema serbe

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në tri lokacione të ndryshme në veri, ku dyshohej për armë, municion dhe mjete të tjera ilegale.

Ky aksion u bazua në informacionet e siguruara nga ana e qytetarëve.

Si rezultat i kontrolleve të realizuara, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh të ndryshme.

Rasti I – Jagnjenic, Zubin Potok

Rreth orës 01:20, njësitë policore kanë kontrolluar një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin Potokut. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:

95 fishekë të kalibrave të ndryshëm;

1 emblemë dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë.

Rasti II – Zhitkovc, Zveçan

Rreth orës 09:20, gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur në fshatin Zhitkovc, Komuna e Zveçanit, policia ka gjetur dhe sekuestruar:

1 armë automatike AK-47;

1 granatë dore M-57 (prodhim jugosllav);

3 karikatorë të zbrazët të AK-47;

85 fishekë të kalibrit 7.9 mm;

60 fishekë për AK-47;

2 uniforma ushtarake me emblema të Serbisë.

Rasti III – Varagë, Zubin Potok

Rreth orës 12:20, njësitë policore kanë kontrolluar një tjetër shtëpi të pabanuar në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku janë gjetur dhe sekuestruar:

1 granatë dore;

50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Në rastin e dytë dhe të tretë, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë bërë tërheqjen e granatave në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me këto raste, deri më tani nuk është arrestuar asnjë person./Periskopi

Shpërndaje në: