Mishetiq “shkatërron” ZPS’në:S’ka prova që e lidhin Thaçin me komunikatën 59, pretendimet e Selimit janë të paverifikuara
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë provë që e lidh klientin e tij me autorizimin apo përgatitjen e komunikatës 59 të UÇK-së.
Në paraqitjen për fjalën përfundimtare të mërkurën në Gjykatën Speciale, Mishetiq ka thënë se pretendimet e bëra nga Rexhep Selimi në intervistën e dhënë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë të paverifikuara dhe të pabesueshme.
“S’ka asnjë provë që z. Thaçi ka lidhje me autorizimin e komunikatave ose deklaratave politike, përveç pretendimeve të pa verifikuara të z. Selimi lidhur me komunikatën 59. Fakti që ZPS-ja nuk ka asnjë provë tjetër që tregon përfshirjen e z. Thaçit, e diskrediton më tej atë që është thënë në intervistë”, deklaroi Mishetiq.
Ai shtoi se, sipas interpretimit të arsyeshëm të provave të paraqitura, Thaçi nuk ka qenë i përfshirë në përgatitjen apo shpërndarjen e deklaratave dhe komunikatave politike.
Në komunikatën 59 të UÇK-së të vitit 1998, Gani Geci shpallet tradhtar./Periskopi



