Vajzat nga Brazili dhe Kina e maskonin aktivitetin si turizëm, arrestohen 118 gra për prostitucion
Policia e Shtetit ka zbuluar dhe ndërmarrë masa ndaj një rrjeti të gjerë prostitucioni që operon në Shqipëri, ku janë arrestuar 118 vajza dhe gra, shumica e të cilave me kombësi të huaj.
Këto shtetase të huaja, përfshirë nga Brazili, Kina, Tajlanda dhe shtete të tjera, maskonin aktivitetin e paligjshëm si turizëm, duke shpërndarë informacione për destinacione turistike si justifikim për qëndrimin në Shqipëri.
Në fillim të këtij viti, Policia e Shtetit ka zbuluar 9 raste të zhvillimit të aktivitetit të prostitucionit në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku këto shtetase, të ardhura me qëllime turistike, u përfshinë në rrjete prostitucioni. Aktiviteti i paligjshëm, që drejtohet kryesisht online, ka përdorur faqe dhe platforma për të reklamuar shërbimet, duke ekspozuar foto dhe numra kontakti të vajzave.
Një tjetër kanal ku ky aktivitet ka vazhduar është edhe rrjeti social Telegram, ku grupet publike shërbejnë për të rekrutuar vajzat dhe për të komunikuar me ata që kërkojnë shërbime seksuale.
Shpesh herë, vajzat janë të joshura me premtime për pagesa të larta ose janë viktima të rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të qenieve njerëzore.
Në një rast të fundit, në tetorin e vitit të kaluar, Policia e Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare si EUROPOL, EUROJUST, Policinë Kroate dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, zbuloi një rrjet ndërkombëtar prostitucioni ku ishin të përfshira 48 gra dhe vajza nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë Qendrore.
Ato trafikohej dhe shfrytëzoheshin për prostitucion në Shqipëri, duke konfirmuar se fenomeni është i lidhur ngushtë me rrjetet ndërkombëtare të krimit.
Ky operacion është pjesë e përpjekjeve të Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar dhe aktivitetet e paligjshme që shfrytëzojnë shtetasit e huaj, duke i detyruar ato të përfshihen në prostitucion ose duke i trafikur në Shqipëri./Periskopi/



