Vojvoda, lojtari pa të cilin formacioni i Kosovës “nuk mendohet”
Goli ndaj Juventusit mund të jetë prej momenteve më të mira në karrierën e Mërgim Vojvodës. 31-vjeçari të shtunën bëri lëvizje të bukur teknike, para se ta dërgonte topin në rrjetën e portës së gjigantit italian. Në fund skuadra e Vojvodës, Como, fitoi 2:0 në Torino, në praninë e 40 mijë shikuesve.
Për Vojvodën ishte vetëm goli i pestë në Serie A dhe i pari ndaj ndonjë top-skuadre italiane. Ai ka edhe 17 asistime në 161 paraqitje.
Por kontributi i tij për skuadrën shkon shumë përtej golave e asistimeve.
Njëjtë është edhe te Kosova. Ndonëse jo gjithnjë lojtari më i ekspozuar, formacioni i Kosovës për kohë të gjatë nuk mendohet pa Vojvodën. Krahu i djathtë i Kosovës është i fortë kryesisht falë tij. Pavarësisht se me cilin sistem luan Kosova, Vojvoda është aty. Dhe kjo nuk pritet të ndryshojë së shpejti.
Se sa i rëndësishëm është për “Dardanët”, dëshmon fakti që Vojvoda është i vetmi që ka kaluar “kufirin” e 70 ndeshjeve për Kosovën.
Nga viti 2017 e deri më tani, Vojvoda i ka 71 ndeshje për Kosovën. Ka shënuar tre gola. I dyti në listë është kapiteni Amir Rrahmani me 67 ndeshje. Vedat Muriqi i ka 66 ndeshje e pas tij me nga 63 janë Milot Rashica e Fidan Aliti.
Numri i ndeshjeve dhe kontributi për fanellën “dardane” bën që Vojvoda të jetë prej lojtarëve më të respektuar te Kosova. Edhe qasja e tij modeste dhe me plot respekt ndaj bashkëlojtarëve, tifozëve e stafit, e bëjnë të dashur për të gjithë.
Për herë të parë u ftua te Kosova në nëntor të vitit 2016. Nuk luajti në atë grumbullim e as ndaj Islandës në mars të vitit 2017. Debutoi ndaj Turqisë më 11 qershor të vitit 2017. Prej atëherë në shumicën e ndeshjeve ishte startues. Ka munguar në fare pak ndeshje. Në vitin 2022 luajti vetëm dy ndeshje për Kosovën, kurse është prej lojtarëve më të rëndësishëm me përzgjedhësin Franco Foda. Në kualifikimet e fundit startoi në të gjitha ndeshjet, ndërsa nuk luajti 90 minuta vetëm ndaj Sllovenisë në Lubjanë, në fitoren 2:0. Ishte zëvendësuar në minutën e 76-të.
Vojvoda pritet të jetë prej lojtarëve të rëndësishëm edhe ndaj Sllovakisë më 26 mars, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës.
Te skuadra e Serie A, Como, Vojvoda po ashtu është prej lojtarëve të rëndësishëm. Kryesisht luan më i avancuar, ndonëse në krahun e djathtë. Gjatë karrierës, duke përfshirë atë te Kosova, ka mbuluar edhe krahun e djathtë, por edhe të majtin. Dhe vazhdon të bëj këtë, sa herë që skuadra ka nevojë.
Te Como këtë edicion i ka dy gola e dy asistime në 23 paraqitje në Serie A. I ka edhe tri paraqitje e një asistim në ndeshjet për Kupë.
Como po ka kampanjë të mirë dhe tashmë është në vendin e gjashtë në Serie A, që dërgon në kupa evropiane në edicionin e ardhshëm.
Vojvoda iu bashkua Comos një vit më parë, kurse luajti për Torinon nga vera e vitit 2020 e deri në fillim të shkurtit të vitit të kaluar. Te Torino i kishte 135 ndeshje, tri gola e 15 asistime. Më herët ka luajtur për Standardin, Mouscronin e Sint-Triudensen në Belgjikë dhe Carl Zeiss Jenan në Gjermani. Zhvillimin si lojtar kryesisht e ka bërë në Belgjikë, ndërsa para se t’i bashkohej Kosovës ishte te Shqipëria U21.
Për Comon, fitorja në Torino ndaj Juventusit ishte e par që nga viti 1951. Pra ishte fitore historike, shkruan Koha.
Vojvoda u shpall më i miri i ndeshjes në këtë fitore historike. Spanjolli i njohur, Cesc Fabregas është trajner i Comos.
“Është mirë të shohës skuadrën kaq lart në tabelë, duke garuar me këto ekipe të mëdha. Jemi krenarë dhe renditja tregon gjithë punën tonë. I detyrohem shumë Fabregasit dhe stafit. Ata kanë besuar tek unë dhe përqafimi ishte për t’i falënderuar”, ka thënë Vojvoda.
Shpresat janë që ai të ketë të tjera ndeshje të mëdha në javët në vazhdim dhe pas një muaji të jetë në formën më të mirë të mundshme./Periskopi/



