Valon Prebreza si Shpend Ahmeti: Pezullon lejet e ndërtimit në Fushë Kosovë (DOKUMENT)
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka ndërmarrë një seri vendimesh për pezullimin e lejeve dhe punimeve ndërtimore në territorin e kësaj komune, duke prekur mbi 20 projekte të kompanive ndërtimore.
Sipas dokumenteve zyrtare, fillimisht është anuluar në tërësi Vendimi nr. 641 i datës 14.06.2023, që kishte të bënte me kompensimin e shpronësimit përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit.
Me këtë vendim janë anuluar edhe të gjitha veprimet juridike që kanë dalë nga zbatimi i tij.
Në vijim, Drejtoria për Planifikim Urban ka nxjerrë aktvendime për pezullimin e lejeve konkrete të ndërtimit.
Vendimet kanë hyrë në fuqi menjëherë, ndërsa me pezullimin e lejeve janë ndalur të gjitha aktivitetet ndërtimore në parcelat përkatëse.
Si pasojë e këtyre vendimeve, mijëra punëtorë të sektorit të ndërtimit kanë mbetur pa punë në ditët e fundit.
Nga ana tjetër, në dokumentet zyrtare theksohet se pezullimi është bërë për shkak të konstatimeve lidhur me përputhshmërinë ligjore dhe planifikimin hapësinor, si dhe për mbrojtjen e interesit publik.
Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, sipas këshillës juridike të përfshirë në aktet administrative.
Ndërkohë, reagimet e kompanive veç kanë nisur, pasi shumica e kompanive kanë deponuar ankesat e tyre. Ka kompani që kanë shitur banesa në objektet ku janë pezulluar lejet dhe është e paqartë se kush do t’i rimbursojë qytetarët nëse një vendim i tillë mbetet në fuqi, raporton Indeksonline, transmeton Periskopi.





