Kërkohet paraburgim për “Mossin” dhe dy të arrestuarit tjerë nën dyshimin për sulm fizik ndaj gazetarit Burim Pacolli
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë, për reperin Gramos Krasniqi, i njohur me nofkën “Mossi” dhe dy të dyshuarit tjerë, nën dyshimin për rrahjen e gazetarit Burim Pacolli.
Këtë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar prokurori i rasti, Burim Neziri, transmeton Periskopi
“Po, sot kemi kërkuar caktimin e masës se paraburgimit”, tha ai.
Kurse, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka thënë se sapo e kanë pranuar kërkesën dhe ende nuk është caktuar seanca dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës se sigurisë.
Tre të dyshuarit gjenden në ndalim nga e mërkura. Sipas Prokurorisë, reperi dyshohet për tri vepra penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Kanosje” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokurori i shtetit në koordinim të ngushtë Policinë e Kosovës pas hetimeve intensive kanë ndaluar tre (3) persona, një prej tyre është edhe reperi Mossi për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” sipas nenit 185 të KPRK-së, “Kanosje” sipas nenit 181 të KPRK-së, dhe veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” në bazë të nenit 269 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Sipas saj, Prokurori i Shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur më këtë çështje.
Ndryshe, Pacolli është sulmuar pasditen e së hënës në Prishtinë. Sulmi ishte dënuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku i është bërë thirrje Policisë për ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të arrestimit të autorit/ëve.
Gramos Krasniqi, i njohur ndryshe si “Mossi”, është reper që ka probleme me ligjin. Në media është raportuar disa herë për arrestimin e tij. Madje edhe për arrestimin e tij në Belgjikë ku ai tashmë po jeton.
“Betimi për Drejtësi” më 23 shtator 2023, në hulumtimin “Arti”, Kriminal“, kishte bërë të ditur se sipas evidencës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Krasniqi është dënuar dy herë për “Lëndim të lehtë trupor”, më 2013 dhe 2016, me 6 muaj burgim dhe 300 euro gjobë.
Për “Armëmbajtje pa leje”, reperi po ashtu është dënuar dy herë më nga 1 vjet burg, më 2013 dhe 2014.
Ndërsa, për “Posedim të narkotikëve”, më 2017 ai ishte dënuar 3 mijë euro gjobë dhe 1 vjet burgim me kusht, kurse më 2018, për të njëjtën vepër është dënuar me 1 mijë euro gjobë dhe 1 vjet burgim me kusht.
Mirëpo, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar edhe për dy raste, ku ai akuzohet për narkotik. Më 2018, për shitblerjet të narkotikëve ai bashkë me dy të tjerë ishin dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, si dhe gjobë prej 600 euro. Mirëpo, ky rast ishte kthyer në rigjykim dhe nuk kishte marrë një epilog. Kjo pasi Gjykata kishte lëshuar urdhërarrest ndaj Mossit i cili gjendej në arrati.
Ndërsa, më 2021 është hudhur aktakuza po ashtu për posedim të narkotikëve më 2015, pasi kishte arritur parashkrimi absolut i kësaj vepre penale.
Në lidhje me këto raste, reperi kishte refuzuar të flasë duke thënë se është në Belgjikë prej 6 vjetësh.
“A pak repera ki qe kanë vepra penale, m’u m’ki gjet a, qe s’jom në Kosovë që 6 vjet. Ki repera që hinë-dalin nga burgu çdo ditë ku me gjete mu”, kishte thënë ai.



