VV dërgon në Gjykatën Kushtetuese emrat e deputetëve që munguan në seancë, Deliu: Standardet kushtetuese nuk mund të ndryshohen sipas interesit të momentit politik
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, i ka kujtuar Lëvizjes Vetëvendosje momentet kur nuk merrnin pjesë në kohën kur votohej për president, atë të Atifete Jahjagës, Behgjet Pacollit dhe Hashim Thaçit.
Mungesën e deputetëve të opozitës aktuale Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk qëndruan në sallën kur VV tentoi ta hedh në votim Glauk Konjufcën dhe kundërkandiatën e tij po nga kjo parti Fatmire Mulhaxha Kollçaku.
Deliu përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha standardet kushtetuese nuk mund të ndryshohen sipas interesit të momentit politik, raporton Periskopi.
“Kur u propozuan për president Atifete Jahjaga, Behgjet Pacolli dhe Hashim Thaçi, asnjë nga deputetët e Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte në sallë. Sot po na thonë se atëherë kishin problem me emrat e kandidatëve për president. Megjithatë, sot e njëjta parti kërkon nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës që deputetët të obligohen të jenë në sallë për zgjedhjen e presidentit. Standardet kushtetuese nuk mund të ndryshohen sipas interesit të momentit politik”, ka shkruar Deliu./Periskopi



