12 vjet burgim të akuzuarit për tentimvrasjen e 4 pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian- dy prej tyre fëmijë

12 vjet burgim të akuzuarit për tentimvrasjen e 4 pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian- dy prej tyre fëmijë

Gjykata Themelore në Ferizaj përmes vendimit të përpiluar më 31 tetor 2025, e ka dënuar me 12 vjet burgim Fadil Islamin për akuzën se tentoi t’i privojë nga jeta katër pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në mesin e të cilëve dy të mitura.

Sipas vendimit, i akuzuari Islami u dënua me 12 vjet burgim në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë iu vazhdua me aktvendim të veçantë, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Periskopi.

Ndërkaq, u konfiskua thika, si mjet me të cilin është kryer vepra penale.

I akuzuari u obligua të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 300 euro dhe 50 euro të tjera në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Në vendim thuhet se Gjykata gjeti se Islami me dashje dhe me motiv të përkatësisë etike, ka tentuar t’i privojë nga jeta M.M., të moshës 10-vjeçe dhe L.M të moshës 14-vjeçe, e që janë pjesë e komunitetit ashkali.

Ndërsa, për arsye të ngjashme, veprën e njëjtë thuhet se e kreu edhe ndaj N.M. (32-vjeç), i moshës madhore- pjesë e komunitetit egjiptian si dhe ndaj E.M (29-vjeç) – pjesë e komunitetit rom.

Në aktgjykim thuhet se Islami kishte pranuar fajësinë, andaj si rrethanë lehtësuese ishte marrë parasysh fakti që ai kishte deklaruar se është penduar për veprën që ka kryer dhe se ka probleme shëndetësore.

Për çfarë veprash penale ishte dënuar më herët Fadil Islami?

Fadil Islami kishte pranuar fajësinë dhe kishte deklaruar se është penduar për veprën që ka kryer, por atij si rrethanë rëndësuese i është marrë fakti se është recidivist i disa veprave penale.

Ai ishte dënuar gjashtë herë dhe në mesin e këtyre rasteve, ai ishte dënuar edhe për “Vrasje” në vitin 2008.

Duke u fokusuar në aspektin kronologjik të rasteve, Islami në vitin 2005 ishte dënuar për veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 261 dhe “Sulmi kundër personit zyrtar në kryerjen e punëve të sigurimit”, nga neni 184 të KPK-së.

Në vitin 2008, ai ishte dnuar për veprën penale “Vrasja”, nga neni 146 të KPK-së, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 328 të KPRK-së.

Në vitin 2010, Islami ishte dënuar për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, nga neni 322 të KPK-së.

Në vitin 2018, ai ishte dënuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 të KPK-së. Në vitin 2021, për veprën penale “Kanosja”, nga neni 181 të KPK-së si dhe në vitin 2024 për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 të KPK-së.

Islami, veprën penale të fundit ndaj pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, e kishte kryer 10 ditë pasi ishte liruar nga vuajtja e dënimit për një vepër tjetër penale.

Si ndodhi rasti?

Në vendim thuhet se aktakuza e Prokurorisë Themelore në Ferizaj e datës 23 qershor 2026, ngarkon Fadil Islamin se  më 11 nëntor 2024 në Ferizaj, me dashje dhe për shak të përkatësisë etnike, ka tentuar t’i privojë nga jeta dy fëmijë të komunitetit ashkali M.M (10-vjeçare) dhe I.B., (14-vjeçare), të cilat ishin duke ecur në rrugë, teksa i pandehuri po ecte në këmbë në drejtim të kundërt, dhe pasi i kalon kthehet me shpejtësi dhe i godet disa herë me thikë, duke iu shkaktuar njërës lëndime të rënda trupore e tjetrës lëndime të lehta.

Në të njëjtën ditë, thuhet se me dashje dhe po ashtu për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar ta privojë nga jeta pjesëtarin e komunitetit egjiptian N.M (32-vjeçar), duke e goditur me thikë derisa i dëmtuari po hynte në një kafene, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Më tej, në vendim thuhet se në të njëjtën ditë, i pandehuri për arsye të njëjtë, ka tentuar ta privojë nga jeta pjesëtarin e komunintetit rom E.A (29-vjeçar), të cilin po ashtu e goditi me thikë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, akuzohej se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, par.1, nënparagrafi 1.10, lidhur me nenin 28 dhe 77 të Kodit Penal./Periskopi/

Shpërndaje në: