Jo veç Rashiqi, edhe Konjufca kishte zbuluar një ‘sekret’ të Kurtit

Jo veç Rashiqi, edhe Konjufca kishte zbuluar një ‘sekret’ të Kurtit

Nuk është vetëm ministri, Nenad Rashiq, që zbuloi një sekret të rëndësishëm të mënyrës se si kryeministri Albin Kurti kishte vendosur t’i ndante 24 hektarë tokë për Manastirin e Deçanit.

Edhe një njeri i afërt i Kurtit, njeriu i dytë në Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufca, kishte zbuluar një sekret tjetër të Kurtit, pasojat e të cilit tejkalojnë ato të Manastirit të Deçanit.

Më 8 dhjetor të vitit 2023, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Glauk Konjufca kishte deklaruar se Neni 7 në Marrëveshjen e Bruskelit, e arritur mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është pikë e vendosur në favor të Serbisë.

“Pika që është vendosur në favor të Serbisë është pika e shtatë e marrëveshjes së Ohrit. Dhe aty thuhet Kosova e ka për obligim gjetjen e një forme të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, deklaronte Konjufca në Zërin e Amerikës.

Një muaj para deklaratës së Konjufcës, kryeministri Kurti e kishte pranuar në Kuvendin e Kosovës se Neni 7 është rezultat i dialogut të udhëhequr prej tij.

“Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”, deklaronte Kurti.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, në një intervistë për një media serbe lokale, ka thënë se para se Kurti të merrte vendim që Manastirit të Deçanit t’i ndaheshin 24 hektarët, e kishte ftuar në takim dhe i kishte thënë:

“Nenad, po e bëjë për shkakun tënd”. Pas debatit të madh pas kësaj deklarate, Rashiq i ra pishman, duke thënë se kishte ngatërruar ngjarjet dhe se kishte menduar për gatishmërinë e Kurtit për të vizituar këtë manastir.

Por, “sqarimi” nga Rashiq, nuk po besohet aq shumë dhe po interpretohet se erdhi pas ndërhyrjes së Vetëvendosjes./PERISKOPI

 

Shpërndaje në: