Dyshohet për akt të qëllimshëm, 6 viktima nga zjarri në një autobus në Kerzers
Policia dyshon për veprim të qëllimshëm – pesë persona të plagosur, tre në gjendje kritike. Dëshmitarët thonë se një person mund t’i ketë vënë zjarrin vetes brenda autobusit.
Një ngjarje tragjike ka ndodhur të martën në mbrëmje në komunën Kerzers në kantonin Freiburg, ku një autobus postar është përfshirë nga flakët duke shkaktuar të paktën gjashtë viktima dhe disa të plagosur, përcjell albinfo.ch.
Sipas Kantonspolizei Freiburg, qendra e alarmit është njoftuar rreth orës 18:25 për një zjarr në një autobus postar në rrugën Murtenstrasse në qendër të Kerzers. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, automjeti ishte tashmë plotësisht i përfshirë nga flakët.
Zjarrfikësit ndërhynë për shuarjen e zjarrit dhe për operacionet e shpëtimit, ndërsa zona u rrethua për arsye sigurie. Autobusi, i cili ishte nisur nga Düdingen drejt Kerzers, u dogj pothuajse tërësisht.
Policia konfirmoi se si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën gjashtë persona, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Viktimat ende nuk janë identifikuar. Mes të plagosurve janë pesë persona që ndodheshin në autobus dhe një person tjetër që kishte ndërhyrë për të ndihmuar. Tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike dhe janë dërguar në spital.
Autoritetet dyshojnë se zjarri është shkaktuar nga një veprim i qëllimshëm njerëzor. Sipas disa dëshmitarëve dhe raportimeve nga persona të pranishëm në vendngjarje, një burrë dyshohet se ka derdhur benzinë dhe më pas i ka vënë flakën vetes brenda autobusit. Policia ka bërë të ditur se është në dijeni të këtyre pretendimeve, por nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme pasi hetimet janë në vazhdim.
Për familjarët dhe personat që mund të kenë informacione lidhur me ngjarjen, policia ka hapur një linjë emergjente në numrin 0800 261 700.
Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur komunitetin lokal. /Periskopi



