Senaca në Kuvend, imuniteti i Ballukut- opozita në protestë

Senaca në Kuvend, imuniteti i Ballukut- opozita në protestë

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare në orën 10:00, ku pritet të votohet për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku. Në këtë seancë do të shqyrtohen dy raportet e paraqitura nga mazhoranca dhe opozita, të cilat kanë qëndrime të kundërta për këtë çështje.

Partia Socialiste argumenton se Balluku, tashmë e shkarkuar nga posti i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe pa funksion ekzekutiv, nuk përbën rrezik për prishje provash apo arratisje. Sipas socialistëve, hetimi ndaj saj për pabarazi në tenderë mund të vijojë pa nevojën e masës së sigurisë. Për të rrëzuar kërkesën e SPAK, shumicës i mjaftojnë 71 vota, raporton A2CNN, transmeton Periskopi.

Ndërkohë, Partia Demokratike këmbëngul se heqja e imunitetit është e domosdoshme, duke argumentuar se deputetja mund të ndikojë te dëshmitarët apo të prishë provat.

Raporti i shumicës do të lexohet nga Ulsi Manja, ndërsa ai i opozitës nga Oerd Bylykbashi, pasi kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi është përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Paralelisht me seancën plenare, opozita ka paralajmëruar një protestë para Kuvendit, e cila do të nisë në të njëjtën orë me seancën dhe do të zgjasë deri në përfundimin e saj. Policia ka marrë masa sigurie dhe ka rrethuar godinën e Kuvendit me barriera metalike.

Para seancës, në orën 09:00, socialistët do të zhvillojnë edhe një mbledhje të grupit parlamentar për të diskutuar qëndrimin përfundimtar mbi çështjen e Ballukut. Deputetëve socialistë iu është bërë me dije se çdo mungesë e tyre në seancë do të cilësohet si shkelje e vendimit të grupit të PS.

Në rendin e ditës së seancës plenare përfshihen gjithashtu disa projektligje dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare, mes tyre edhe emërimi i ish-ministres Elisa Spiropali në Komisionin e Sigurisë dhe i ish-ministrit Pirro Vengu në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm./Periskopi

Shpërndaje në: