Ngjarje e rëndë në Korçë, foshnja 2 muajshe rrezikon jetën pasi nëna nuk e ushqeu me gji

Ngjarje e rëndë në Korçë, foshnja 2 muajshe rrezikon jetën pasi nëna nuk e ushqeu me gji

Në pediatrinë e spitalit rajonal të Korçës ka mbërritur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore një foshnjë rreth 2 muajshe.

Burime konfidenciale nga policia dhe spitali bëjnë të ditur se foshnja aktualisht është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dyshohet se kjo gjendje ka ardhur nga kequshqyerja.

Foshnja ka lindur dy muaj më parë, prematurë (7 muajsh). Është trajtuar në spitalin e Korçës e më pas në Tiranë, nga ku raportohet se ka dalë në gjendje të mirë shëndetësore, por pas kthimit në shtëpi ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore, raporton TCh, transmeton Periskopi

Sipas po të njëjtave burime, dyshohet se ka qenë nëna ajo që nuk është kujdesur për foshnjën për ta ushqyer me gji dhe ky dyshohet të jetë shkaku kryesor i gjendjes së rënduar.

Po ashtu, dyshohet se nëna ka probleme të shëndetit mendor, por detaje të reja priten të zbardhen në vijim për të përcaktuar nëse kjo e fundit ka shfaqur shenja të përkeqësimit pas lindjes së fëmijës.

Sipas burimeve spitalore, sqarohet se gjendja e foshnjës vijon të mbetet e rëndë, ndërsa mjekët po shohin mundësinë për ta transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Nga ekzaminimet, parametrat jetësorë janë në kufijtë minimalë ndërsa mjekët jashtë kamerave sqarojnë se në momentin e parë që foshnja ka mbërritur në pediatrinë e spitalit të Korçës, ka qenë në gjendje shumë të rënduar, me probleme të theksuara respiratore dhe me peshë 1 kg. Kjo peshë ka qenë që në momentin që ka lindur e deri më sot pas 2 muajsh, çka do të thotë se foshnja nuk ka patur asnjë zhvillim. Kequshqyerja mbetet dyshimi kryesor i policisë por nuk përjashtohen edhe rrethana të tjera që lidhen me lindjen e parakohshme.

Policia ndodhet në pediatrinë e spitalit, ndërsa mjekët po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar foshnjën 2 muajshe./Periskopi

 

Shpërndaje në: